Kosova barazoi 1:1 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë të dielën mbrëma ndaj Greqisë në kuadër të eliminatoreve për Botërorin 2022.
Golin e barazimit Kosova e realizoi në minutën e 92-të me anë të Vedat Muriqit.
“Atmosfera ishte shumë e mirë, u pa kur kemi barazuar rezultatin. Merituam të merrnim një barazim. Në pjesën e parë dhe të dytën nuk është se patën ndonjë rast të mirë. Nuk mund të besonim që nga asgjë shënuan gol. Kjo ka qenë loja më e mirë ndaj Greqisë. Ne kemi merituar të shënonim edhe fitore”, ka thënë Hadërgjonaj, që luajti tërë ndeshjen dhe asistoi në golin e barazimit të Muriqit.
“E kemi pasur një fazë të vështirë si ekip, pas humbjes ndaj Maqedonisë. Ka qenë një atmosferë jo si më parë dhe tani jemi munduar të këndellemi e të luajmë lojë më të mirë. Sot kemi bërë një hap para dhe tash kemi lojë ndaj Spanjës”.
“Nëse luajmë si sonte dhe po ashtu ndaj Gjeorgjisë, mendoj se mund të marrim rezultat pozitiv. Greqia luan mirë në mbrojtje. Nuk ka qenë e lehtë të krijojmë, por luftuam për të shënuar dhe ia dolëm”.