Erling Haland do të jetë i gatshëm për t’u përballur me Liverpulin të shtunën, pasi lëndimi i fundit i sulmuesit të Manchester City nuk duket të jetë serioz.
Norvegjia nuk arriti që të kualifikohet në Kampionatin Europian të vitit të ardhshëm, pasi Izraeli nuk mundi Rumaninë gjatë fundjavës dhe Halandi nuk u rrezikua në ndeshjen kundër Skocisë. Golashënuesi i “qytetarëve”, i cili u rendit i dyti në çmimet e “Topit të Artë”, shpjegoi se do të përdorte pushimin për t’u rikuperuar dhe shpreson që të kthehet në gjendje për të luajtur ndeshjen e ardhshme kundër ekipit që nuk i ka shënuar ende në Premier Ligë. Por lajmi se dëmtimi i tij nuk është serioz vjen si një lehtësim për trajnerin e Citit, Pep Guardiola. 23- vjeçari ka shënuar 13 gola në 12 ndeshjet e para të Premier Ligë dhe është arma më e fortë e sulmit në skuadrën kampione.
Në një intervistë për “TV2”, Haland ka treguar se Cristiano Ronaldo është frymëzimi i tij kryesor dhe shpjegoi se ai e kishte zakon ta shikonte gjithmonë superyllin portugez gjatë viteve të zhvillimit të tij si futbollist. “Më kujtohet që e shikoja gjithmonë në ‘YouTube’ për lëvizjet e tij në zonë: ai bënte dy ose tre lëvizje përpara se të sulmonte hapësirën ku donte të ishte”, tha Haland. Statistikat e golave me kokë të norvegjezit janë përmirësuar në një gol në 4 goditje, por edhe për këtë aspekt të lojës ai ka shfrytëzuar CR7- ën për t’u përmirësuar: “Është një lloj dueli në atë situatë me qendërmbrojtësit. Është e rëndësishme të zgjedhësh kohën e duhur. Dhe pasimi duhet të jetë i mirë, sepse nëse nuk merr një krosim të mirë, nuk do të mund të shënosh me kokë. Mënyra sesi ai lëviz dhe se si ka arritur të zhvillojë lojën e tij është fantastike. Ju kujtohet kur ai luajti te Manchester United dhe në vitet e para te Real Madridit, për t’u bërë më shumë një sulmues në klubin e Realit? Është e pabesueshme për të që ia del, por edhe se si i shënon golat. Janë lëvizjet e vogla në zonë dhe aftësia për të mashtruar mbrojtësit”, shtoi ai.