Guarin drejt Hamburgut

Një ndër lojtarët që ka përçarë më shumë tifozerinë e Interit këto sezonet e fundit, kolumbiani Fredi Guarin, tashmë duhet të largohet nga klubi zikaltër.

Në fakt, fundi i aventurës së tij në Milano erdhi para pak kohësh, kur shkoi dhe ofendoi tifozët, që po kritikonin skuadrën pas një disfate, ndaj ishte e pritshme që këtë verë mesfushori të nxirrej në shitje.

Tashmë Interi kërkon ta shesë sa më shpejt, sepse ka shpenzuar jo pak për Kondogbianë dhe mesfusha po mbipopullohet.

Oferta më serioze për momentin është ajo e Hamburgut, që kërkon të rindërtojë skuadrën, pas vuajtjeve të mëdha të sezonit të fundit.

Interi kërkon rreth 15 milionë euro për Guarinin, por Hamburgu shpreson të ulë çmimin, duke përfshirë në bisedime mesfushorin Valon Behrami.

Ky i fundit nuk është në planet e Hamburgut për të ardhmen, por vështirë se e duan tek Interi, pasi prioritet është rikuperimi i parave të shpenzuara deri tani.

Problem tjetër është edhe bindja e mesfushorit, i cili vështirë se pranon të shkojë te Hamburgu, klub që prej disa sezonesh lufton për mbijetesë.