Gregurek vlerëson lart FASK-në

Gjatë gjithë ditës së shtunë është mbajtur seminari për marshallë dhe zyrtarë tjerë të garave në auto sport. Federata e Auto Sportit e Kosovës e organizoi këtë aktivitet në të cilin ligjëruan katër ekspertë nga Kroacia, të cilët u ndanë shumë të kënaqur me interesimin e mikpritësve për trajnime në lëmin e auto sporteve. Kryetari i Federatës së Auto Sportit të Kroacisë, Zrinko Gregurek, i cili njëherësh është edhe kryetar i FIA CEZ (Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit për Zonën e Evropës Qendrore), ka dhënë vlerësim shumë pozitiv për punimet e djeshme. “Organizimi i këtij trajnimi është hap shumë i qëlluar i Federatës suaj. Në këtë mënyrë fitohet edukata e njerëzve për auto sport. Pa gjyqtarë të shkolluar nuk mund të ketë sport të mirëfilltë. Hapa të tillë duhet të marrin edhe federatat tjera, por fatkeqësisht nuk po e bëjnë“, ka thënë Gregurek.

Mysafiri nga Kroacia ka qenë i befasuar edhe me numrin e pjesëmarrëves në trajnim. “Nuk kam pritur të ketë kaq shumë të interesuar, por tani po e shohim se e kemi sallën e mbushur plot me pjesëmarrës”, ka shtuar Gregurek.

Edhe kryetari i Federatës së Auto Sportit të Kosovës, Ismet Rexhepi, është shprehur i kënaqur me rrjedhën e punimeve. “E them me plot përgjegjësi që ky trajnim ka qenë shumë i nevojshëm për ne, ndërsa është shumë shpresëdhënës dhe pa diskutim i frytshëm. Ne duhet të lexojmë shumë më tepër, të mësojmë, të shohim ku jemi dhe ku po dëshirojmë të arrijmë“, ka theksuar Rexhepi.

Numri një i FASK-së ka shtuar se Federata do të bëjë çmos për organizim sa më të mirë. “Ne po përpiqemi të bëjmë më të mirën, por jemi të vetëdijshëm se kemi ende shumë për të bërë. Besoj që me përkrahjen e gjithmbarshme, auto sporti në Kosovë do të ecë me sukses përpara”, është shprehur Rexhepi.

Gjatë punimeve të së shtunës, ekspertët nga Kroacia kanë ligjëruar për tema të ndryshme, ndërsa pjesëmarrësit në fund i janë nënshtruar testimit me ç’rast treguan rezultat mjaft të mirë.