Granit Xhaka gjithmonë e më pranë kalimit tek Roma

Jose Mourinho është gati për të bërë blerjen e parë tek Roma. Portugezi që sapo ka nisur punën tek skuadra e kryeqytetit të Italisë, duket se ka piketuar disa lojtarë për sezonin e ardhshëm.

Mediat në vend bëjnë me dije se Granit Xhaka është shumë pranë kalimit tek italianët. Sipas raportimeve, bëhet me dije se marrëveshja mes shqiptarit që luan me Zvicrën dhe Romës është thuajse e kryer.

Negociatat që udhëhiqen nga Tiago Pinto po ecën shumë mirë dhe brenda disa ditëve duket se do të ketë një firmosje të kontratës.

Arsenali ka refuzuar ofertën e parë zyrtare prej 15 milionë Eurosh për Granit Xhakën, por oferta e dytë prej 18 milionë Eurosh duket se ka ulur sërish palët në negociata.

Ndërkohë lojtari duket se ka gjetur gjuhën e përbashkët me Romën, ku do të përfitojë 2.5 milionë Euro në sezon, plus bonuse, dhe do të ketë një kontratë 4-vjeçare.