Teksa ky sezon është drejt fundit, në zyrat e Las Palmasit po punojnë për projektimin e skuadrës që do të bëhet për vitin e ardhshëm. Klubi spanjoll pothuajse e ka siguruar qëndrimin në La Liga dhe kjo situatë i jep mundësinë drejtuesve të mendojnë për një ekip edhe më të fortë për sezonin që do të vijë.
Në listën e Las Palmas disa emra titullarësh, por edhe për në stol, po shfaqen. Një emër që po forcohet është ai i Myrto Uzunit. Në kërkim të një sulmuesi që garanton gola, ndryshe nga sulmi aktual i Las Palmasit me Sandro, Kaba, Munir apo Kardona, mes drejtuesve ka një unanimitet për figurën e Myrto Uzunit.
I blerë nga Granada në vitin 2022 për katër milionë euro dhe me kontratë deri në vitin 2026, e ardhmja e tij mund të jetë larg Granadës për shkak të rënies së afërt të ekipit bardhekuq një kategori më poshtë. Një lojtar me finalizim të tillë ku në këtë sezon ka shënuar gjithsej 11 gola dhe në atë të mëparshëm ka shënuar 23, janë numra që rrisin çmimin e sulmuesit.
Granada e di se nuk do të jetë në gjendje ta mbajë shqiptarin për shkak të interesimit të skuadrave të shumta të La Ligës dhe Las Palmas po eksploron se si të pozicionohet në luftën për shërbimet e tij. Një blerje me këste, mund të jetë formula që përshtatet me parametrat ekonomikë të këtij klubi. Uzuni gjithashtu pëlqehet edhe nga drejtori sportiv i Las Palmasit, ish-futbollisti i famshëm në Serinë A Luis Helguera.
Sa i përket çmimit të 28-vjeçarit, me rënien e Granadës, klauzola e largimit shkon në 12 milionë euro, ndërkohë çmimi në treg i Myrtos është rreth 10 milionë euro. Gjithsesi, për beratasin janë edhe disa klube të tjera të interesuara që ta afrojnë në verë. /panorama/