Plaçkitet tifozi 102 vjeçar, i ndihmon klubi i zemrës

Skuadra e Spartak Moskës ka tubuar rreth shtatë mijë euro për ta ndihmuar financiarisht tifozin 102-vjeçar, Otto Fischer, të cilit hajdutët ditë më parë i janë futur në shtëpi dhe ia kanë vjedhur të gjitha kursimet jetësore.

Lajmi është bërë i ditur nga mediumet e huaja.

Fischer është njëri prej tifozëve më të vjetër dhe më të dashur te Spartak Moska. Ai jeton në Kopeisk dhe ekipin e Spartakut e përcjell në çdo ndeshje kur luan si vendas.

Fischerit hajdutët ia kanë vjedhur rreth 11 mijë euro, duke u futur në shtëpi, pasi e kanë mashtruar se janë punëtorë qeveritarë, transmeton Koha.net.

Me të dëgjuar këtë lajm, skuadra e Spartakut është organizuar dhe të gjithë futbollistët kanë i kontribuar kësaj iniciative.

Fischerit do t’i jepet edhe një pjesë e të hollave që do të vijë nga shitja e biletave për ndeshjen e ardhshme kampionale që Spartaku e luan në shtëpi të shtunën kundër Kuban Krasnodarit.

Po ashtu në ndihmë Fischerit i kanë dalë edhe tifozët e Spartakut, të cilët e shohin atë si ikonë të klubit rus.