Drita fiton me spektakël, realizojnë përforcimet

Drita e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme stinorin pranveror të Raiffeisen Superligës. Ata kanë mposhtur kandidatin për titull, Trepçën ’89, 3:2. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin e Gjilanit, prodhoi pesë gola, një penallti, por nuk munguan edhe rastet e shumta për shënim.

Armend Kastrati nisi serinë e golave, duke shënuar nga largësia për 1:0. Mysafirët patën rast të mirë për të shënuar përmes penaltisë së fituar nga Berat Hyseni. Mirëpo, Ibrahim Peci humbi 11-metërshin e parë të tij këtë edicion, derisa meritë pati portieri Artan Latifi që përcolli gjuajtjen e tij.

Drita mori zemër, dhe në vazhdim shënoi golin e dytë. Ishte përforcimi tjetër, talenti Alban Shillova, që pasi kaloi bukur Ilir Izmakun, realizoi për 2:0.

Me këto shifra, skuadrat iu drejtuan zhveshtoreve.

Në fillim të pjesës së dytë (48’), Berat Hyseni pas disa gjuajtjeve në portën vendase, shënoi golin e parë për 89-shin.

Nuk vonoi shumë dhe Drita realizon për 3:1. Këtë herë ishte Mensur Limani, i rikthyer pas një kohe në futbollin kosovar.

Trepça ’89 nuk dorëzohet dhe në minutën 73 shënoi golin e dytë. Taulant Haliti ndihmoi topin të futet në portën e vet, pas gjuajtjes së Blerand Kurtishajt.

Me këtë rezultat u mbyll ndeshja. Për atmosferë u përkujdesën tifozët ‘Intelektualët’. (Gazeta Olle)