Alanyaspor ka marrë një fitore me rezultat 2-1 në shtëpi ndaj Trabzonsporit në kuadër të javës së 14-të në elitën e futbollit turk.
Në këtë sfidë për vendasit shkëlqeu reprezentuesi kosovar Florent Hadërgjonaj, i cili ishte vendimtar në këtë fitore të tyre.
Hadërgjonaj ishte autor i golit të parë të tyre të cilin e realizoi në minutën e 44-të nga penalltia, teksa asistoi tek goli i fitores që u shënua në minutën e 50-të nga Loide Augusto.
Për këtë paraqitje fantastike, Hadërgjonaj u vlerësua me notën 8.5 nga Sofascore duke bërë që të shpallet lojtari më i mirë i ndeshjes.
Përveç golit dhe asistimit, Hadërgjonaj pati 2 spastrime të topit nga zona e rrezikshme, 2 pasime kyçe, 1 shans të madh për gol të krijuar.
Ai gjithashtu fitoi shtatë duele, teksa kompletoi tre topa të gjatë si dhe pati 27 pasime të kompletuara dhe 2 driblime të sakta.
30-vjeçari me këtë paraqitje të tij e dëshmoi pse është njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm të ekipit të tij këtë sezon, me Alanyaspor që gjeti fitoren e parë pas gjashtë ndeshjeve pa rezultat pozitiv.