Kosova mori një pikë në ndeshjen e fundit të fazës kualifikuese në Kupën e Botës, pasi barazoi 1-1 me Greqinë.
Golin për grekët e realizoi Giorgos Masouras, derisa për Dardanët shënoi Amir Rrahmani.
Primozh Gliha tha se është i kënaqur me këtë barazim, pasi gjasat ishin më të mëdha që ata të humbisnin këtë përballje.
“Duhet të jemi të kënaqur me rezultatin sepse kemi mundur ta fitonim ndeshjen por kemi mundur edhe të humbim. Futbolli është dramatik. Në pjesën e parë nuk harxhuam shumë energji pasi loja është e gjatë. Duhej ta ruanim energjinë dhe përqendrimin për të bërë diçka. Nuk arsyetohem zakonisht por kishim mungesa si Hadërgjonaj, Dresheviq, Bytyqi. Për Kosovën këto janë mungesa të rëndësishme. Ju thash lojtarëve që duhet ta pranojmë këtë situatë dhe të bëjmë maksimumin. U thash që dua ta fitojmë këtë ndeshje, por nuk ia arritëm qëllimit”, tha fillimisht slloveni Gliha.
Ai foli edhe për të ardhmen e tij te Kosova, por tha se vendimin në fund e merr kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës.
“Ndihem mirë në Kosovë por i takon kryetarit të vendos për të ardhmen. Sa i përket kualifikimeve, në njërën anë nuk kishim fat. Në futboll ka fitore e humbje. Por diferencën e bën përqendrimi dhe sakrifica e lojtarëve në fushë. Ka edhe shumë elemente tjera”, përfundoi Gliha.
Kosova e përfundon aventurën kualifikuese në Kupën e Botës në vendin e pestë me pesë pikë në Grupin B, me Spanjën si lider me 19 pikë, Suedia me 15, Greqia me dhjetë dhe Gjeorgjia me shtatë sosh.