Gjysmëmaratona Prishtina 2015 vjen me risi

Vetëm kanë filluar përgatitjet për garën më të rëndësishme të vitit në atletikë, gjysmëmaratona ndërkombëtare “Prishtina 2015’, e cila do të zhvillohet me 10 maj. Edicioni i sivjetshëm parashikohet të jetë edhe më i organizuar e më i mirë se ai paraprak dhe pritet pjesëmarrje edhe më e madhe e atletëve nga vendet e ndryshme të botës.

Halil Sylejmani, kryetar i Federatës së Atletikës së Kosovës, për gazetën kombëtare “Bota sot” tha se gjysmëmaratona e sivjetshme ka edhe një risi. “Kemi vendosur që më 10 maj të mbahet gjysmëmaratona dhe fillon në orën 10.00. Është gara e 15-të më radhë që mbahet deri më tash. Risi është se kemi blerë aparaturë moderne (çip) për përcjelljen e secilit garues në shteg. Kjo aparaturë ka kushtuar 35 mijë euro dhe është shumë e rëndësishme”, tha Sylejmani.

Numri një i federatës pretendon se do të jetë një garë e fortë e cilësore, ku vetëm disa atletë nga shtetet e ndryshme e kanë shprehur interesimin për pjesëmarrje në këtë aktivitet të rëndësishëm.

“Gjysmëmaratona e 15-të më radhë besoj se do të jetë më e mirë, e cila edhe ka hyrë në analet ndërkombëtare dhe qytetarët tanë e duan këtë sport, e cila është parë edhe edicionin e kaluar se sa numër i madh ishin të pranishëm qoftë në garë qoftë përreth saj.

E keqja është se edhe në Maqedoni po të njëjtën ditë do të organizohet gjysmëmaratona e Shkupit. Nuk është hera e parë që ata organizojnë garën në të njëjtën ditë me ne, por kjo nuk do të jetë pengesë, për shkak se garuesit vetëm janë të përcaktuar se ku do të garojnë”, tha Sylejmani. “Organizimi i mirë i yni, mikpritja në Kosovë dhe posaçërisht nga Federata e Atletikës së Kosovës janë në nivelin më të lartë dhe kjo na veçon nga shtetet e rajonit”, theksoi Sylejmani.
Ndryshime në shpërblime!
Sylejmani paralajmëron se mund të ketë edhe ndryshime në shpërblime, pasi vitin e kaluar fituesi i vendit të parë u shpërblye me 1200 euro në të dyja konkurrencat (femra e meshkuj). “Në gjysmëmaratonën tonë edhe shpërblimet janë më të mira, kjo ndikon edhe te pjesëmarrja e garuesve të shteteve të tjera. Do të tentojmë t’i ndryshojmë çmimet e shpërblimeve për të mirë.

Ministria e Sportit e Kosovës është e gatshme për të na ndihmuar, po ashtu presim edhe ProCredit Bank të jetë sponsor si gjithmonë dhe shpresojmë edhe donacione të tjera, si dhe të na ndihmojë ndonjë sponsorë”, tha Sylejmani.