Gjyqtari ndër më të mirët në botë do të propozohet për kryetar të KOK-ut

Federata e Pingpongut e Kosovës (FPK) të shtunën gjatë ceremonisë së shpalljes së laureatëve të vitit 2015, do ta zyrtarizojë kandidaturën e Jeton Beqirit për kryetar të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), post të cilin nga viti 1996 e mban Besim Hasani.

Lajmin për kandidaturën e njërit prej gjyqtarëve më të mirë në botë të pingpongut, të enjten, për gazetën e ka konfirmuar kryetari i FPK-së, Nehat Çitaku. Kryetari Çitaku ka thënë se Beqiri është kandidat i denjë për ta drejtuar KOK-un, shkruan sot Koha Ditore.

Vetë Beqiri ka thënë se në parim është diskutuar për mundësinë e propozimit të tij, derisa kreu aktual i KOK-ut, Hasani, ka thënë se është ende herët të mendojë për të shpallur kandidaturën e tij.

Zgjedhjet si në KOK ashtu edhe në federatat sportive do të mbahen në fund të vitit të ardhshëm, në bazë të statutit të Komitetit Olimpik të Kosovës, që duhet t’i përshtatet ciklit olimpik katërvjeçar.

“Gjatë ceremonisë të së shtunës ku kemi ftuar shumë mysafirë, do të kemi edhe një deklaratë zyrtare. Dhe, sipas gjitha gjasave, Jeton Beqirin do ta propozojmë kandidat për postin e kryetarit të KOK-ut”, ka thënë Çitaku.

Sipas tij, ka ardhur koha që në Komitetin Olimpik të Kosovës të bëhen ndryshime. E ndryshimin, siç thotë i pari i FPK-së, mund ta bëjë kandidati i tyre, Beqiri.