Gjyqtari Bekim Zogaj rrëfehet për ndeshjen Kukësi – Torpedo, gati edhe për Kombëtaren

Gjyqtari nga Kosova, Bekim Zogaj, ditë më parë pati emocione të përziera. Ai u delegua për ta drejtuar ndeshjen e Ligës së Evropës, Kukësi – Torpedo Zhodino (2-0).

Në një intervistë për www.sportal.al, 35-vjeçari flet për këtë ndeshje si dhe takimet e kaluara kur e ka ndarë të drejtën ndaj skuadrave shqiptare. “Pasi që jam arbitër i lajmëruar në Federatën e Zvicrës, e kam ditur se është e mundur të ndajë drejtësinë edhe skuadrave shqiptare. Edhe para një viti e kam ndarë drejtësinë në Ligën e Kampionëve (futsall) në ndeshjen Flamurtari – Apoel Nikosia. Edhe në vitin 2008 kam qenë arbitër në ndeshjen miqësore FC Schaffhausen – Shqipëria (1-3), në Zvicër, po ashtu në të njëjtin vit, edhe në miqësoren Winterthur – Prishtina”, nis bisedën Bekim Zogaj.

Në ndeshjen Kukësi – Torpedo, Zogaj ishte arbitër anësor. “Kolegët e mi e kanë ditur se jam nga Kosova. Mirëpo, nuk më kanë thënë asgjë pasi që ne njihemi tash e shumë kohë. Ata e dinë seriozitetin tim. Sa i përket lojës, lojtarët e Kukësit aq që kanë biseduar me mua gjatë ndeshjes. Kam qenë tepër i fokusuar në lojë dhe në paraqitjen time. As nga tifozët nuk kam dëgjuar provokime apo komente negative”, shtoi Zogaj, duke e komentuar edhe pritjen që i është bërë në Tiranë. “Me të vërtet jam befasuar me pritjen që më është bërë. Në të gjitha aspektet jam befasuar pozitivisht”.

Në fund, Bekimi tha se është gati që ta ndajë drejtësinë, edhe nëse fati e sjell ndaj Kombëtares së Shqipërisë në ndonjë ndeshje zyrtare. “Nëse Federata më delegon, nuk e ka asnjë problem në pranimin edhe të ndeshjeve të Kombëtares”, përfundoi Bekim Zogaj, i cili me shumë sukses i drejton ndeshjet në elitën e futbollit zviceran.

Ndryshe, Zogaj punon si kontabilist në komunën e Winterthurit në Zvicër.