Gjyqtarët janë gati, por jo edhe serbi Markoviq

Gjyqtarët janë gati. Superliga do nis stinorin pranveror të premten, derisa sipa kryetarit të Komisionit për Gjyqtarë, Përparim Hasani, gjyqtarët kanë kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme.

Ai shpreson se do të shohim një pranverë me gabime më të vogla të gjyqtarëve. “Dëshira ime është të ketë sa më pak gabime nga referët, njëashtu pres nga klubet të i respektojnë vendimet e gjyqtarëve. Ata e kanë dëshmuar veten në testet fizike dhe teorike”, deklaroi Hasani për gazetaolle.com.

“Të gjithë janë gati. I kemi mbajtur testet fizike, dhe prej 55 gjyqtarëve kanë rënë vetëm 4. Atyre iu lejohet të hyjnë në një tjetër test fizik, nëse as këtë nuk e kalojnë atëherë mbaron sezoni”, shtoi ai.

Njëri nga katër gjyqtarët që nuk kaluan është edhe serbi i vetëm në futbollin kosovar, Radovan Markoviq, që gjykon në Ligën e Parë. “Janë Kujtim Bajrami, Erduan Zasella, Artan Latifi dhe Radovan Markoviq, që nuk kanë kaluar testin”.

Këtë herë nuk do të ketë gjyqtarë të rinj që kalojnë në Superligë, mirëpo kështu nuk është edhe në Ligën e Parë, ku do të ketë të rinj që kalojnë nga Liga e Dytë.

Sipas Hasanit, gjyqtarët gjatë këtij dimri kanë mbajtur seminare të ndryshme në Shqipëri, e ndër to ligjërues ishte edhe anglezi Steve Bennet.

Ndërkohë, të shtunën në Mitrovicë, mbahen testet fizike për Ligën e Parë dhe Ligën e Dytë. (Gazeta Olle)

.