Gjithmonë bashkë (FOTO)

Dy miq të bekuar me talentin që kanë për futbollin dhe të bashkuar rreth një loje, e cila u ka kryqëzyar rrugët e jetës. Ata janë dy prej yjeve të flamurit kuqezi, që po eksporton futbollin e trojeve tona edhe në arenën europiane.

Njëri erdhi në jetë si një bekim, ndërsa tjetri i përjetësuar në emrin e tij me një nga poemat më të lashta të të letërsisë së antikitetit.

Bekim Balaj dhe Odise Roshi janë të vjetër në miqësinë e tyre, por të rinj në rrugën e gjatë, që duhet të bëjnë për të mbajtur lart krenarinë dhe emrin e vendit të tyre.

Shkodra dhe Fieri bashkohen te këta dy djem të talentuar në shfaqjen më të bukur të futbollit, që aq shumë emocione na dhuroi në transfertën e Portugalisë, e cila hapi siparin e një shfaqje, që vazhdon të luhet drejt një finishi historik, “Euro 2016”.

Por miqësia e dy djemve të talentuar të futbollit modern shqiptar nuk nisi në Portugali, ajo daton shumë herët, që në kohën kur të dy ishin pjesë e kombëtares U-21. shkruan Sportal.al.

Rruga e tyre është shënjuar pothuajse nga i njëjti fat, sepse mërguan në Europë të rinj për t’u rikthyer në vendin e tyre, si ikonat e një skuadre, që nuk ka “senatorë”, por vetëm djem të përkushtuar dhe me dëshirën për të dhuruar edhe pikën e fundit të djersës për Kombëtaren e një populli me zemër e sytë e kthyer nga ta.

Ndoshta fati dhe ndoshta edhe dëshira e të dyve deshi që rrugët e tyre të kryqëzohen sërish, këtë herë në brigjet dalmate të Kroacisë, te Rijeka, që mund të shërbejë si një tjetër pedinë e rëndësishme për të ardhmen e tyre.

Deri atëherë… Bekimi dhe Odiseja do të shijojnë eksperiencën kroate, si dy miq të vjetër…

1 ROSHI

 

2 ROSHI

 

3 ROSHI

 

4 ROSHI