Gjithçka gati për Sutjeskan (FOTO)

Sigal Prishtina në një konferencë të organizuar për media në ambientit e klubit, ka zbuluar synimet për ndeshjen e radhës në kuadër të Ligës Ballkanike, përballë Sutjeskas, e cila zhvillohet të mërkurën.

Menaxheri i skuadrës së Prishtinës, Florian Miftari, tha se për këtë ndeshje janë bërë të gjitha përgatitjet për një pritje sa më të mirë për mysafirët.

“Tashmë janë bërë të gjitha gati që t’i presim sa më mirë mysafirët në këtë ndeshje. Ne do t’u tregojmë të gjithëve se ne e duam basketbollin e në përgjegjësi sportin. Synimi ynë është që të përfundojmë në pozitën e parë në grup edhe pse nuk e kemi nisur mirë. Shpresoj se do të arrijmë këtë qëllim”, u shpreh Miftari.

Në këtë konferencë të pranishëm ishin edhe trajneri Marjan Ilievski, kapiteni, Edmond Azemi, dhe kryetari i tifozëve prishtinas Plisat, Albert Kastrati.

Ilievski tha se për këtë ndeshje janë përgatitur maksimalisht duke shpresuar në fitore. “Kemi bërë të gjitha përgatitjet për këtë ndeshje. E dimë se nuk do të jetë ndeshje e lehtë por ne besojmë se do të arrijmë fitore në këtë takim”, deklaroi ai.

Nga ana tjetër, optimist para ndeshjes është shprehur edhe kapiteni i kryeqytetasve Edmond Azemi, duke besuar se me ndihmën e tifozëve ‘Plisat’, do të vijë fitorja.

“Ne kemi një ekip me fond të lojtarëve shumë të mirë. Besoj se do të arrijmë të luajmë një ndeshje shumë të mirë që t’i kënaqim të gjithë tifozët tanë dhe në fund të shënojmë fitore”, potencoi Azemi.

Kryetari i ‘Plisave’, Albert Kastrati, tha se interesimi për këtë ndeshje është jashtëzakonisht i madh duke premtuar spektakël dhe përkrahje për ekipin e tyre të zemrës.

“Tash e disa ditë interesimi për këtë ndeshje ka qenë tejet i madh. Ne do të krijojmë një atmosferë të zjarrtë në këtë takim. Mysafirët do t’i presim në mënyrën më të mirë”, theksoi Kastrati.

Sigal Prishtina momentalisht zë vendin e dytë në grupin D, me një pikë më pak se Kozhuvi, që renditet në vendin e parë. (Gazeta Olle)