Gjithçka e kryer për Hoxhën drejt Dinamo Zagrebit, pritet vetëm zyrtarizimi

Sulmuesi i krahut, Arbër Hoxha, do ta bëjë hapin e madh në karrierë pasi do t’i bashkohet gjigantit kroat të futbollit, Dinamo Zagrebit.

Kjo është bërë e ditur të hënën mbrëma nga mediume të ndryshme kroate. Hoxha është lojtar i Slaven Belupos, ndërsa sipas “germanijak.hr”, marrëveshja mes klubeve tashmë është arritur. Fillimisht Slaven Belupo ka kërkuar dy milionë euro për kosovarin.

Klubet po negociojnë për detajet e fundit, ndërsa Hoxha të martën pritet të bëhet zyrtarisht lojtar i Dinamo Zagrebit. Të mërkurën Hoxha do të bashkohet me kampionen kroate në përgatitje. 25-vjeçari është te Slaven Belupo nga shkurti i vitit 2022. Për gjashtë muaj ishte te Lokomotiva e Zagrebit, tek e cila skuadër ishte transferuar nga Ballkani në verën e vitit 2021. Te Ballkani kishte shfaqur nivel të lartë, ndërsa në Kosovë ka luajtur edhe për Besën e Pejës, Hajvalinë, Prishtinën e Istogun.

Ai ka tri paraqitje për Kosovën, ndërsa ishte tek U21. Këtë edicion Arbër Hoxha kishte katër gola e një asistim në 18 paraqitje për Slaven Belupon. Por kontributi i tij është përtej golave e asistimeve dhe kjo solli interesimin e skuadrave të ndryshme. Hoxha prej fillimit ishte i vendosur që të bashkohet me Dinamon, skuadër ku kanë luajtur edhe plot futbollistë shqiptarë. Dinamo ka shumë dekada që dominon futbollin në Kroaci. Këtë edicion po zhvillon garë të fortë me Hajdukun e Rijekën për titull të kampionit. Aktualisht është e treta me 34 pikë, por ka dy ndeshje më pak të luajtura se Hajduku që udhëheq në tabelë me 41 pikë.

Ndërron jetë në moshën 78-vjeçare legjenda e futbollit Franz Beckenbauer

Uzuni: Në Europian dua t’u shënoj të gjithave, për Shqipërinë luaj ku t’i duhem trajnerit