Gjimshiti: Asgjë nuk është e pamundur në jetë, ndaj Spanjës do bëjmë maksimumin

Kapiteni i kombëtares shqiptare të futbollit, Berat Gjimshiti doli krah trajnerit Sylvinho në konferencën për mediet në prag të ndeshjes vendimtare për kalimin e raundit në EURO 2024, atë ndaj Spanjës që luhet këtë të hënë në orën 21:00 në Dusseldorf.

Gjimshiti u shpreh se skuadra është ende në garë për kualifikimin dhe se në ndeshjen e nesërme ndaj Spanjës do të bëjnë maksimumin.

Mbrojtësi i Kombëtares theksoi se asgjë nuk është e pamundur në jetë, ndaj për këtë arsye do të bëjnë më të mirën.

Sa gati është ekipi për të përballuar “furinë e kuqe”? “Është një ekip shumë i fortë, por të gjithë çunat janë gati për këtë sfidë nesër. Gjëja më e rëndësishme është që jemi në grup dhe kemi mundësi ta kalojmë grupin dhe do bëjmë gjithçka mundemi që ta bezdisim Spanjën”.

Spanja nesër pritet të luajë me formacionin e dytë, sa ndikon kjo te ju, duke ditur se nuk kemi parë një ndeshje të ekipit të dytë të kësaj kombëtareje?  “Nuk ndikon aspak sepse edhe formacioni i dytë i Spanjës ka të njëjtin nivel si formacioni i parë. E dimë kë kemi përballë i njohim kundërshtarët. Nuk e mendojmë aspak që ata do luajnë me ekipin e dytë, por do e marrim sfidën po aq seriozisht siç do ishte po të luanin me ekipin e parë.”

Mungesa e Dakut nesër për shkak të pezullimit: “Duhet të fokusohemi në ndeshjen e nesërme. Daku ka bërë gabim dhe ka kërkuar falje. Ne do të kemi kundërshtar të vështirë nesër dhe vetëm për këtë do mendojmë.”

Kualifikimi: “Asgjë nuk është e pamundur në jetë, por sigurisht që është ndeshje e vështirë. Ne sigurisht që do të bëjmë maksimumin dhe do tentojmë që t’i shqetësojmë kundërshtarët”.

Gjoba e UEFA ndaj Shqipërisë prej tifozëve: “Jam këtu për të folur për çështjen e kualifikimit, këto janë gjëra për të cilat përkujdeset UEFA. Arsyeja pse jemi këtu ka të bëjë me ndeshjen dhe për atë që do bëjmë nesër dhe do të bëjmë më të mirën.”

Arne Slot e dëshiron Rabiotin në Liverpool

Sylvinho: Japim gjithçka ndaj Spanjës