Gjilani prezanton kryetarin dhe katër aksionarët e klubit

Gjilani ka ndryshuar tërësisht, pasi aksionarë të rinj kanë ardhur në krye të tyre.

Pas largimit të tanimë ish-presidentit Florim Zuka, një grup i biznesmenëve të suksesshëm kryesisht që jetojnë dhe veprojnë në diasporë kanë marrë drejtimin e klubit.

Kryetari i klubit është zgjedhur Afrim Veliu, një gjilanas që jeton dhe vepron në Zurich të Zvicrës.

Ndërkohë pjesë e bordit të klubit do të jenë aksionarët e tjerë, Fatlum Pireva, Qëndrim Demiri, Valmir Emini dhe Shaban Bajrami.

Tanimë faqja zyrtare e klubit i ka prezantuar kryetarin dhe katër aksionarët e klubit me fanella.

Presidenti i klubit, Afrim Veliu ka përshëndetur nga afër të gjithë futbollistët dhe stafin teknik, teksa ka ofruar mbështetje maksimale në rrugëtimin e ri që është nisur.

“Motivin nuk e solla unë, atë e gjeta në mesin tuaj. Në sytë tuaj shoh shumë vullnet dhe dëshirë për ta shfaqur më të mirën të cilën dini ta bëni. Së bashku me aksionarët e tjerë dhe bashkëpunëtorët e mi do të përkujdesemi që klubi të orientohet në rrugën e duhur, prandaj dua nga ju që të impenjoheni maksimalisht në çdo seancë stërvitore, në çdo ndeshje dhe çdo sfidë me të cilën do të ballafaqohemi. Ju falenderoj që keni qëndruar besnik klubit dhe ju pres në vazhdim që së bashku ta ngrisim klubin në nivelet më të larta”, tha Veliu para futbollistëve.

Ndërkohë, aksionarët e tjerë të klubit, Fatlum Pireva, Qëndrim Demiri, Valmir Emini dhe Shaban Bajrami ofruan garancion dhe stabilitet në organizimin e klubit. Ata theksuan gjithashtu se presin nga futbollistët të japin gjithçka nga vetja e tyre për t’i realizuar objektivat e klubit, ndërkohë që mbështetja e drejtuesve nuk do të mungojë aspak.

Amar Gërxhaliu pritet të largohet nga Antalyaspor dhe t’i bashkohet skuadrës shqiptare

Murat Yakin zbardh listën, fton katër shqiptarë për të luajtur kundër Kosovës