Gjilani në bisedime me Zhdrellën, Januzin dhe Thaqin, presidenti Zuka flet për afatin kalimtar

Është një nga ato rastet kur “suksesi të shton oreksin”. Pas një sezoni të jashtëzakonshëm të cilin e kurorëzoi me daljen në Evropë, Gjilani po punon vrullshëm në afatin kalimtar.

Presidenti Florim Zuka dëshiron të krijojë një skuadër të fortë për parakualifikimet e Ligës së Evropës dhe pretendente për titull në edicionin e ardhshëm.

Zuka ka “hapur kuletën” dhe pas analizës me kryesinë dhe shtabin teknik, po mundohet të sjellë super-transferime në klub.

Gazeta Olle mëson përmes burimeve pranë kampit gjilanas se klubi bardhekuq është në bisedime të avancuara me tre yjet e Superligës, Mentor Zhdrellën e Llapit dhe Ahmet Januzin e Armend Thaqin të Prishtinës.

Në fakt, për Thaqin Gjilani interesohet prej kohësh, ndërsa Zhdrella e Januzi po ashtu shihen si shumë të nevojshëm për repartin e mesfushës dhe të sulmit.

Gjilani ka shprehur interesim për transferimin e Zhdrellës (Foto: KF Llapi)
Thaqi dhe Januzi, dy objektiva të Gjilanit në afatin kalimtar (Foto: FC Prishtina)

Gazeta ka kontaktuar gjatë ditës edhe presidentin e Gjilanit, Florim Zuka.

Pa përmendur emra, Zuka konfirmoi që Gjilani është në bisedime me futbollistë të njohur të Superligës dhe të rajonit.

“Mund të konfirmoj që ne jemi në bisedime me disa super futbollistë brenda dhe jashtë vendit”, deklaroi Zuka për Gazetën Olle.

“Megjithatë, jemi në një fazë ku nuk mund të përmendim emra, pa arritur dhe finalizuar marrëveshjet me futbollistët”, shtoi Zuka.

Përtej afatit kalimtar, Zuka komentoi edhe për ndeshjet e Gjilanit në fazën parakualifikuese të Ligës së Evropës.

“Do të mundohemi të arrijmë sa më lartë, duke ditur se është hera e parë që Gjilani luan në garat ndërkombëtare. Gjithsesi, jemi optimistë dhe do të bëjmë maksimumin”, shtoi ai.

Gjilani e mbylli kampionatin në vendin e dytë me pikë të barabarta me kampionin e ri të Kosovës, Dritën. /Gazeta Olle/

Florim Zuka, njeriu që “Gjilanin e mbijetesës” e ktheu në “Gjilan evropian”

Nga “Gjilan mbijetese”, në “Gjilan evropian”: Skifterat gëzojnë rrugëtimin historik, të cilin e nisën vetë!