Skuadra e Gjilanit tashmë ka nisur të marrë formë. E ka kaluar krizën e thellë me të cilën u përball gati një vit. Tani te Gjilani kanë një mision tjetër – ta kthehen në rrugën drejt synimeve të mëdha.
Misionin për ta kthyer në skuadër që pretendon trofe, drejtuesit e rinj të Gjilanit ia besuan trajnerit nga Vlora, Gentjan Mezani.
Mezani është rikthyer te Gjilani pas tre vjetësh. Ai për herë të parë drejtimin e Gjilanit e mori në mars të vitit 2019, ndërsa në vitin 2020 dha dorëheqjen. Ai thotë se në edicionin aktual, synimet nuk janë të mëdha. Por nuk përjashton mundësinë që gjatë rrugës ato të ndryshojnë.
Ai është i kënaqur me ecurinë e ekipit, por thotë se pretendimet kanë qenë më të mëdha.
“Uroj dhe shpresoj me kalimin e javëve të përmirësohemi akoma më shumë, të përmirësojmë gabimet që kemi bërë sepse mendoj që ky Gjilan prodhon lojë. Pra, të jep mundësinë që të shpresosh për një Gjilan të mirë në të ardhmen. Një Gjilan që vendos në vështirësi çdo skuadër. Kemi gabuar, dhe duke gabuar ne kemi pësuar. Dhe, duke gabuar kemi humbur ndeshjet për fajin tonë, jo për meritë të kundërshtarit, mendoj deri tani”, ka thënë Mezani për KOHËN.
Gjilanit së fundi i është përforcuar me mbrojtësin me përvojë Egzon Bejtullain. Mbrojtësi 29-vjeçar ka luajtur për Maqedoninë e Veriut në “Euro 2020”. Më herët është përforcuar edhe me Betim Halimin, Besir Demirin, Dajan Shehin, Melos Bajramin, Donaldo Açkajn, Elvedin Heriçin, Kushtrim Shabanin, Omer Shemshijin, Qëndrim Ismajlin, Valmir Nafiun, Edi Basan e Nashko Milevin.
“Mendoj se Gjilani tashmë është një skuadër e rëndësishme për kampionatin e Kosovës. Është një skuadër që e ka mësuar tifozërinë e vet në këto vitet e fundit në Evropë. Është gjë shumë e mirë dhe me ardhjen e donatorëve të rinj objektivi është ai, për të rindërtuar një skuadër të fortë, një skuadër për Kupat e Evropës, një skuadër që të jetë pretendonte gjatë çdo viti. Me ardhjen e Egzonit unë mendoj që kemi bërë një afrim cilësor në skuadër, një afrim që shpresoj e uroj që të na ndihmojë me eksperiencën e tij për këto ndeshjet e mbetura dhe të paktën deri në përfundim të kësaj fazës së dytë dhe pastaj unë mendoj që do të rishikojmë dhe do të veprojmë gjatë pjesës së mbetur pastaj në tërë kampionatin. Por, mendoj që është një afrim me cilësi dhe me kualitet dhe me eksperiencë që do të na japë ndihmën e vet”, është shprehur Mezani.
Gjilani këtë edicion u paraqit edhe në garat e UEFA-s, por u eliminua në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës nga Progresi i Andorrës.
Mezani synon tjetër paraqitje me Gjilanin në Evropë.
“Klubi nuk është se na ka vendosur një objektiv por në karakterin tim ekziston gjithmonë një objektiv primar. Objektivi primar është që ky ekip duhet të mbesë në kategori dhe unë mendoj që nuk do ta diskutoj absolutisht mbetjen në Superligë. Objektivi im i dyti personal është ai që të arrijë të bëjë më të mirën për të kapur maksimumin e mundshëm nga kjo skuadër, pse jo edhe Kupat e Evropës. Kështu që, po e theksoj, si objektiv, kemi thjeshtë objektivin e mbetjes në kategori dhe mendoj që kjo skuadër i ka të gjitha gjasat dhe gjitha mundësitë për të mos e diskutuar mbetjen në kategori”, ka thënë Mezani.
Në fushën ku Gjilani zhvilloi stërvitjen, të shtunën do ta presë skuadrën e Fushë Kosovës, në ndeshjen që i takon javës së dhjetë të elitës së futbollit të Kosovës.
Mezani beson se ekipi i tij do të krijojë vështirësi për çdo skuadër në Superligë.
“Në qoftë se do të kishim marrë disa pikë më tepër, ku ne kemi gabuar, do të flisnim ndryshe, pra nuk do të ishim në atë pozitë që jemi tashmë. Por unë mendoj që skuadra prodhon lojë, skuadra të jep mundësinë që të shpresosh dhe të mendosh që kjo skuadër duke u përmirësuar nga java në javë, do arrijë të jetë një skuadër pse jo edhe pretendonte, pse jo edhe një skuadër që do t’i krijojë vështirësi çdo skuadre që është në pjesën e sipërme të klasifikimit. Kështu që kjo është ajo që mund të them dhe mendoj e shpresoj që na mbetet vetëm të punojmë. Na mbetet të punojmë, të përmirësohemi dhe të vazhdojmë përpara”, është shrehur Mezani.
Nën drejtimin e trajnerit Mezani, Gjilani e pati humbur rastin ta fitonte titullin në edicionin 2019/2020 në Kosovë. Drita doli kampione falë goldallimit më të mirë në ndeshjet e ndërsjella, dhe e fitoi titullin. Të dyja skuadrat e mbyllën edicionin me pikë të barabarta – 68 sosh. Po ashtu, edhe goldallimin e përgjithshëm e patën të njëjtë; +34.