Gjilani dhe Drita do të përballen në derbin e qytetit në kuadër të xhiros së 35-të në Albi Mall Superligë.
Është derbi lokal më i madhi në Kosovë, derbi që nuk ka kalkulime, por që gjithmonë luftohet për nderin e qytetit.
Dy skuadrat e urrejnë njëra tjetrën dhe gjithmonë mundohen të marrin maksimumin në derbi, pa marrë parasysh nëse i nevojitën apo jo pikët.
Se është derbi pa kalkulime dhe pa tolerime, e dëshmon fakti që vitin e kaluar Gjilani pa pasur nevojë për pikë e ndali në barazim Dritën dhe ia humbi titullin e kampionit.
Por këtë vit kanë ndryshuar gjërat, Drita është në pozitën e tretë dhe ka siguruar plasmanin në Evropë, derisa Gjilani ka nevojë të madhe për pikë për t’i ikur barazhit.
Faqja zyrtare e Gjilanit, ka publikuar një foto dizajn ku shihet një fëmijë me fanellën 12 dhe mbishkrimin ‘Nderi i qytetit’.
Fëmija është duke shikuar televizionin dhe në të është festa e Mevlan Zekës kur shënoi golin e barazimit ndaj Dritës 1-1, ndeshje që ia humbi titullin skuadrës bardhekaltër.
Ngacmimet kanë filluar tanimë mes dy skuadrave dhe mbetet të shihet të dielën nëse Gjilani do t’i marrë tre pikët e shumëkërkuara, apo Drita do t’i hakmerret për titullin e humbur një vit më parë. /Gazeta Olle/