Gjiganti italian pas Lilës

Andi Lila edhe në fokusin e Fiorentinës. Mbrojtësi i Parmës dhe i Kombëtares së Shqipërisë, padiskutim që në këto ndeshjet e fundit në Serinë A, jo vetëm ka qenë një ndër më të mirët për skuadrën e tij, por sidomos ka shkëlqyer në çdo aspekt, duke marrë nota mbi “6”, që duke njohur mirë shtypin italian dhe gazetarët, është tepër e vështirë që të mbash këtë mesatare të lartë.

Edhe në sfidën e fundit, në Toskanë, ndaj Empolit, 29-vjeçari edhe pse s’ka shënuar, ka qenë protagonist i golit të parë realizuar nga Lodi, pasi besimi i tij në krah bëri që aksioni të mos humbiste. Pikërisht në këtë ndeshje, ku Lila u aktivizua për 69 minuta, agjentët vjollcë të merkatos kanë mbajtur shënim. Kjo nisur edhe nga fakti se në krahun e djathtë të mbrojtjes dhe mesfushës Fiorentina ka nevojë për fuqizime, duke qenë se Riçards dhe Tomoviç nuk bindin plotësisht, ndërsa në mesfushë, vetëm Rozi nuk jep garanci.

Burime pranë “Sport Ekspres” bëjnë me dije se ka edhe dy klube gjermane që janë vënë në ndjekje të mbrojtësit të Kombëtares, por që për momentin emri i tyre ende s’ka dalë në skenë, duke qenë se Lila dëshiron që të mbyllë sezonin njëherë dhe më pas do të ketë kohë.