Gjeorgjia s’e lejon flamurin, Kosova tërhiqet nga Evropiani

Kosova prej vitit 2008 është anëtare me të drejta të plota në Federatën Ndërkombëtare dhe Federatën Evropiane të Peshëngritjes.

Por peshëngritja kosovare, që është në hapat e parë të zhvillimit, së fundi nuk është trajtuar njëjtë me peshëngritjen e vendeve të tjera. P

eshëngritësi Arbnor Krasniqi ka qëndruar në Tbilisi të Gjeorgjisë, por nuk ka garuar në kampionatin evropian të peshëngritjes, që edhe ishte qëllimi i vizitës së tij në këtë vend.

Krasniqi, që është dashur të jetë garuesi i vetëm i Kosovës në evropian, nuk ka garuar, pasi organizatori i kampionatit Kosovën nuk e ka trajtuar njëjtë me vendet e tjera, shkruan sot “Koha Ditore”.

Mbi tribunën ku janë zhvilluar garat kanë qenë të vendosur flamujt e të gjitha vendeve pjesëmarrëse në evropian, me përjashtim të flamurit të Kosovës.

Delegacioni kosovar që përbëhej nga sekretari i përgjithshëm i Federatës së Peshëngritjes, Astrit Hasani dhe trajneri Ilir Kafarani kanë insistuar që të vendoset flamuri i Kosovës dhe që Kosova të trajtohet njëjtë si shtetet e tjera, transmeton Koha.net.

Megjithatë, organizatori nuk ka lëshuar pe dhe kështu Kosova me gjithë pjesëmarrjen nuk ka garuar në evropianin e 94-t të Evropës që nisi më 10 prill e do të përfundojë më 18 prill.

Krasniqi është dashur të garojë të dielën nga ora 11:00, por është kthyer të hënën në mëngjes në Kosovë pa e sprovuar forcën e tij.

Ai është dashur të garojë në kategorinë deri 69 kilogramë.