Gjendja e Alonsos nuk është shqetësuese

Gjendja e tij shëndetësore nuk përbën rrezik por pavarësisht kësaj Fernando Alonso vazhdon të qëndrojë në terapi intensive në një nga spitalet e Barcelonës. Spanjolli u bë protagonist me një aksident të frikshëm këtë të dielë në pistën e Montmelo ku po zhvillohej dita e fundit e testeve përgatitore për sezonin e ri të Formula 1. Alonso doli jashtë piste me Mclarenin e tij në kthesën e tretë të cirkuitit spanjoll duke goditur barrierat mbrojtëse me një shpejtësi prej 140 Km/orë. Piloti asturian u transportua me urgjencë në spital dhe gjendja e tij fillimisht shqetësoi shumë persona.

Megjithatë vetëm pak orë pas incidentit të Alonsos, skuadra McLaren bëri me dije se piloti 33-vjecar është konshient dhe të gjithë fansat e tij nuk kanë përse të shqetësohen. Spanjolli e kaloi natën në terapi intesive edhe pse të gjitha kontrrollet klinike të cilave iu nënshtrua Alonso treguan se spanjolli është mirë dhe nuk vuan nga asnjë lloj problemi. Alonso me siguri do të qëndrojë në spital nën survejimin e mjekëve edhe për 24 deri në 48 orët e ardhshme, porcedurë mëse normale kjo pas një aksidenti të të tillave përmasa. Me Alonson që e ka hedhur pas krahëve këtë incident të rëndë të gjithë duan të mësojnë se përse McLareni i spanjollit doli nga pista në Montmelo. I pyetur për këtë cështje drejtuesi i skuadrës angleze Eric Boullier u përpoq të minimizojë disi atë që ndodhi. 41-vjecari francez theksoi se incidenti i Alonsos u ekzagjerua pak si shumë nga mediat pasi sipas tij ai ishte vetëm një askident normal që mund të ndodhë përgjatë testeve përgatitore për sezonin e ri të Formula 1.