Në shortin e hedhur për rrethin e parë parakualifikues të Eurobasket 2025, Kosova ishte shortuar në Grupin C me Norvegjinë dhe Danimarkën. Dardanët pësuan nga Norvegjia 86-77, kurse fituan ndaj danezëve 78-73.
Nesër (e enjte) do të ndeshen Danimarka me Norvegjinë nga ora 19:00, ndërsa të dielën Kosova e pret Norvegjinë, nga ora 19:00 në Mitrovicë.
Vendi i parë kualifikohet në rrethin e dytë parakualifikues, si dhe e dyta më e mira nga tri grupet.
Dardanët shpresojnë në fitore ndaj Norvegjisë, kurse takimin e fundit do ta kenë në udhëtim ndaj Danimarkës, më 30 qershor.
Në këto përballje gjithashtu është i rëndësishëm koshdallimi dhe takimet direkte, andaj basketbollistët e Kosovës janë të motivuar për tu kualifikuar në rrethin e ardhshëm.
Grumbullimi ka filluar nga dita e shtunë (19 shkurt) dhe lojtarët po japin maksimumin në stërvitje, kurse presin përkrahje nga tifozët në ‘Minatori’ të Mitrovicës.