Gjakova, një vatër e sportit e kthyer në atë të mjerimit

Njerëzit e sportit në Gjakovë e kanë të vështirë të kujtojnë se kur për herë të fundit erdhi një trofe në këtë komunë.

U duhet kohë të mendojnë, por ajo që e thonë pa menduar është e një kohe edhe më të largët: “Gjakova ka qenë vatër e sportit dhe e talenteve”.

Por, më nuk është.

Qyteti që mburrej me sportin, sidomos të arriturat në futboll, ka kohë që po lufton me mjerimin që i ka kapluar ekipet. Për trofe nuk bëhet fjalë dhe kjo veçon Gjakovën, shkruan sot Koha Ditore.

Është qyteti i vetëm i madh në Kosovë, që nuk ka asnjë ekip të paktën pretendent për titull në asnjë sport të njohur.

Suksesin e fundit, sporti gjakovar e ka shijuar në edicionin 2007-08 kur skuadra e Vëllaznimit në futboll, fitoi Kupën e Kosovës. Aktualisht, kjo skuadër ikonë e qytetit po bën gara në Ligën e Parë, që i bie rangu i dytë dhe pjesën vjeshtore të këtij edicioni e ka mbyllur në pozitën e dhjetë, që do të thotë se nuk ka shpresa që stinorin tjetër të luajë në elitë.

Në basketboll është pak më ndryshe. Dy skuadrat, të meshkujve dhe femrave janë pjesë të superligave, por hyn në mesin e skuadrave të dobëta. Situatë e ngjashme është edhe në superligat e hendbollit, ku dy skuadrat nuk kanë ndonjë rol. Derisa volejbolli ka kohë që si sport është shuar në këtë qytet. Edhe në sportet individuale, Gjakova nuk ka ndonjë sukses. Së fundi, ekipi i pingpongut pas 12 vjetëve është rikthyer në elitë nëpërmjet ndeshjes së barazhit për të plotësuar numrin e ekipeve në Superligë.

“Është fakt që ka disa vjet që nuk kemi ndonjë kampion dhe duhet pranuar se kjo është gjendja reale dhe momentale në sportin e Gjakovës. Në futboll ka munguar një organizim i mirëfilltë në baza profesionale, pasi nuk është punuar me grupmosha të reja. Gjakova gjithmonë ka qenë vatër e talenteve, sidomos të futbollit dhe në të shkuarën kemi patur suksese”, thotë ish-futbollisti i mirënjohur Xhelal Kaçi, i cili tash është administrator sporti. “Basketbolli nuk ka donatorë, hendbolli po mundohet të mbijetojë disi, derisa volejbolli është shuar”.