Gjyqtari i ndeshjes Itali – Shqipëri, nuk është treguar i drejt me Kombëtaren

FIFA ka përcaktuar gjyqtarët që do të vendosin drejtësi në ndeshjen e së premtes mes Italisë dhe Shqipërisë në Palermo, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës.

Ky takim do të gjykohen nga një treshe sllovene me kryesor Sllavko Vinçiç dhe asistentë Tomaz Klançnik dhe Andraz Kovaçiç.

Në historikun e ndeshjeve të 37-vjeçarit Vinçiç si arbitër kryesor, përfshihet edhe një ndeshje tjetër e Shqipërisë. Ai ka gjykuar në miqësoren e 15 nëntorit të 2011-s mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, e zhvilluar në Prilep.

Në atë ndeshje Shqipëria drejtohej nga asistenti i Josip Kuzhes, Xhemal Mustedanagiç, që sot drejton kombëtaren shqiptare U-17.

Takimi përfundoi 0:0, por më tepër se për atë që u prodhua në fushën e lojës, ajo miqësore do të mbahet mend për thirrjet e vazhdueshme raciste anti-shqiptare të bëra nga tifogrupi “Majmunët”. Edhe pse veprimet raciste janë të ndaluara në futboll, arbitri slloven nuk mori asnjë masë për t’i ndaluar.