Gentian Mezani zbulon Gjilanin dhe Superligën në Shqipëri

Gentian Mezani shpjegon se sa shumë ka ndryshuar këndvështrimi që futbollistet nga Superiorja kanë për futbollin në Kosovë.

Trajneri i Gjilanit ka zbuluar në “SuperSport” se si ka ndryshuar situata falë atmosferës së ndryshme që mbizotëron në futbollin në Kosovë.

“Ka qenë e vështirë për të bindur lojtarët nga Superiorja t’i bashkoheshin Gjilanit. Por e them me bindje ne këtë moment se jo më larg se 2 orë më parë kanë rinovuar 2 futbollistë të klubit, përpos Xheksosn dhe të gjithë që janë pjesë e Gjilanit me kontratë njëvjeçare duan që të vazhdojnë. Të gjithë që janë kërkojnë të rinovojnë.

Atë që po jetoj unë dhe lojtarët, flas për klubin tim apo edhe Dritën që i kemi në qytet, ka korrektësi në pagesa. Janë korrekt në çdo gjë të vendosur dhe mendojnë që të gjithë sportistët të mendojnë vetëm për punën e ndeshjen e radhës.

Po shoh që stadiumet boshatisen në Superiore, por këtu tifozët të mbështetin gjithmonë. Kur ne ishim dobët vitin e kaluar dhe rrezikonim rënien, tifozeria na mbështeti edhe më shumë e jo vetëm në ndeshje, por edhe në seanca stërvitore, na jepte shtysë për ndeshjen e radhës. Kjo edhe e mira këtu. Vetëm një javë më parë isha në Vlorë dhe tifozeria e kishte braktisur skuadrën. mendoj se duhet mbështetur ekipi në momentet e vështira”, tha Mezani.

A do të kthehej për një ofertë nga Partizani apo Tirana.

“Në këtë punë që jemi, kur të vijnë oferta nga klube që janë pak më lart si Partizani e Tirana, do të tundonin pak. Por nuk do të lëvizja nga Gjilani e para për karakterin tim se nuk mund të lë punën në gjysmë. Dhe e dyta është një njeri serioz që po investon, më ka dhënë mundësinë dhe dua t’ia shpërblej. Mua do të më bënte mirë në karrierë por edhe ai që po investon dhe ka besim te unë e lojtarët që unë kam sjellë. Ndaj nuk do të ikja për asnjë arsye nga Gjilani në këto momente”.

Për situatën te Flamurtari.
“Unë e kam parë Flamurtarin në 2-3 ndeshje, ndjej keqardhje për pozicionin që ndodhet. Kam qenë në dy vite dhe kam vendosur një tullë për të mos rënë ky ekip nga kategoria dhe më vjen shumë keq kur e shoh se gjithë ajo punë e mund që kemi bërë ka qenë i kotë. Shpresoj që në merkaton e janarit të afrohen disa lojtarë, janë shpërndarë rrogat lexova e kjo është diçka e mirë. Shpresoj që të kalojnë sa më shpejt situatën se është e rëndësishme që Flamurtari të jetë në Superiore se është skuadër e qytetit  si Vlora që është me një të shkuar shumë të mirë. Më vjen keq që tifozeria a ka braktisur se duhet të jetë aty, ta mbështetë se ka nevojë në këto momente”.