Genc Hoxha, trajner i Istogut

Trajneri i mirënjohur, Genc Hoxha është bërë me skuadër të re. Ai ka arritur marrëveshje me Istogun, dhe gjithçka pritet të zyrtarizohet të dielën, në takimin e radhës.

Trajneri gjakovar konfirmoi për GazetaOlle.com, arsyet që e dërguan tek Istogu.

“Ka mbetur të takohemi edhe të dielën, dhe mund të them se gjasat janë shumë të mira që unë të jem trajner. Istogu ka një projekt të mirë me të cilin më kanë bindur, kurse të dielën do të flasim për objektivat”, deklaroi Hoxha për GazetaOlle.com.

Ai thekson se që prej se ka fituar dy tituj kampioni me Besën, drejtuesit e Istogun e kanë pasur si qëllim ta kenë një ditë në skuadër.

“Ata më njohin mirë që nga koha e Besës së Pejës. Kemi pasur në vazhdimësi marrëdhënie të mira. Istogu është klub stabil, sidomos sa i përket anës financiare”, u shpreh Hoxha, që në edicionin e fundit drejtoi Vëllaznimin, me të cilin pati probleme të mëdha sa i përket pikërisht financave. (Gazeta Olle)