Gashi: Superliga është hajgare!

Pejës nuk po i mbetet merak që në edicionin e ardhshëm nuk do të garojë në Superligë. Kryetari i saj thotë se elitës së basketbollit vetëm emri i ka mbetur Superligë, pasi nuk ka të bëjë asgjë me superioritet. Art Gashi kërkon që Pejës t’i mundësohet pjesëmarrja vetëm në gara ndërkombëtare

Peja nuk do të ketë aspak nostalgji për Superligë. Për këtë siguron Art Gashi. Kryetari i klubit verdhezi, ligën superiore të basketbollit kosovar e konsideron si “ligë hajgare”. Sipas tij, në Superligë klubet nuk kanë kurrfarë kushtesh dhe garat zhvillohen vetëm sa për sy e faqe, vetëm sa për të mos thënë.

Kreu i klubit pejan i dha këto deklarata pasi skuadra pejane u përjashtua të enjten nga Superliga, pasi u tërhoq në ndeshjen e tretë finale të “Play-Offit” ndaj Sigal Prishtinës, prandaj sezonin e ardhshëm do të garojë në Ligën e Parë.

“Veç emri i ka mbetur Superligë, se lidhje me Superligë nuk ka. Është krejt hajgarellëk. Klubet s’kanë fanella të mjaftueshme, s’kanë autobus, shkojnë në lojë me vonesë dhe me 4-5 lojtarë, me ekip të pakompletuar. Superliga me të vërtetë s’ka më vlera”, thotë për “Zërin” Gashi, i mllefosur.