Gashi: Nëse s’na dëmtojmë, shpallemi kampion

Egzon Gashi beson në titullin kampion, duke thënë që ‘industrailistët’ mund ta shkruajnë historinë nëse ata nuk do të dëmtohen nga gjyqtarët. Sulmuesi i transferuar nga Besa te Feronikeli, beson që ekipi i tij ka gjasa të mira që ta mbyllë kampionatin në vendin e parë.

“Kemi një ekip shumë të organizuar dhe besoj fuqishëm që nëse gjyqtarët nuk na dëmtojnë, ne në fund do të shpallemi kampion”, deklaroi Gashi për Gazetën Olle.

I pyetur për ambientimin në skuadrën nga Drenasi, pejani thotë që gjithçka po shkon shumë mirë, derisa shprehet i gatshëm që t’i ndihmojë ekipit pas kthimit nga lëndimi.

“Mendoj që çdo ditë e më shumë jam duke u komponuar në ekip. Pas lëndimit që e kam pasur, tani jam 100% që t’i ndihmoj Feronikelit drejt objektivave. Me durim do t’i arrijmë të gjitha. S’ka m’u ndalë”, shtoi Gashi

Ai pritet të debutojë për Feronikelin në ndeshjen e së shtunës kundër Vëllaznimit. /Gazeta Olle