Gashi mungon dy muaj: Kthehem edhe më i fortë

Sulmuesi kyç i skuadrës së Dritës, Blendim Gashi, nuk do të jetë i gatshëm që t’i ndihmojë skuadrës së tij për afro dy muaj, pas lëndimi të shpinës që e pësoi në ndeshjen e së dielës ndaj Istogut.

Në një prononcim për gazetën, Gashi tha që shpreson se Drita do t’ia dalë edhe pa të në ndeshjet e radhës, sepse sipas tij, bardhekaltërit kanë kualitete të mëdha.

“Do të mungojë për gati dy muaj pas lëndimit të shpinës. E kam nisur fazën rehabilituese dhe shpresoj që do të kthehem edhe më i fortë. Drita do t’ia dalë edhe pa mua sepse kemi një skuadër vërtetë shumë kualitative”, deklaroi Gashi për Gazetën Olle, duke e falënderuar në fund kryesinë e klubit dhe futbollistët për mbështetjen e vazhdueshme.

Ai është lëshuar nga spitali, ndërsa tani po qëndron në shtëpi. Drita u ndal nga Istogu në Gjilan duke luajtur pa gola, 0:0. /Gazeta Olle