Gashi: Ja për çfarë janë klubet kosovare

Kryetari i klubit basketbollistik të Pejës, Art Gashi, ka deklaruar për faqen zyrtare të Ligës Ballkanike se është optimist para ballafaqimit me Mornarin, duke thënë më pas që Liga Ballkanike është e mjaftueshme momentalisht për klubet kosovare.

“Kjo ështën jëra ndër ndeshjet më të rëndësishme të edicionit. Kemi bërë ekip të mirë, kemi marrë lojtarë me përvojë në mënyrë që të akomodohen lehtë. Besoj që jemi mjaftueshëm të mirë për ta marrë fitoren dhe për tu kualifikuar në gjysmëfinale”, ka thënë Gashi, transmeton Gazeta Olle.

“Liga Ballkanike është shumë e fortë këtë vit, ju duhet të keni shumë fat sepse të gjitha skuadrat kanë cilësi të përafërt me njëra-tjetrën. Në FIBA ka skuadra shumë të forta dhe për ne, ekipet kosovare, pjesëmarrja në Ligën Ballkanike është ndoshta më e mirë. Po të shkojmë më larg, ndoshta nuk do të kemi fuqi të ballafaqohemi me skuadra të rangut të lartë dhe një gjë e tillë do të ishte e rrezikshme”, ka shtuar ai.