Futbollistët vushtrrias ‘shpërthejnë’ në akuza të rënda ndaj Agron Selimit, zbulojnë borxhet, flasin edhe për manipulime

FC Vushtrria vazhdon të jetë në gjendje të rëndë. Kjo skuadrës krahas organizimit jo të mirë në këtë edicion, ka ngecur edhe me rezultatet.

Vushtrria pas javës së 27-të në Superligë ndodhet e fundit në renditje me 24 pikë të tubuara.

Disa nga futbollistët e kësaj skuadre, janë ankuar përmes Gazetaolle.com, duke e dërguar një shkrim.

Ridan Beqiri, Ilir Izmaku, Bajram Zuqaku, Daut Maxhuni, Kujtim Pantina, Edon Pasoma dhe Etrit Halimi, kanë zbuluar faktorët e dështimit të Vushtrrisë.

“Fajtori kryesor për këtë gjendje të klubit është Agron Selimi (ish-kryetar i kësaj skuadre), i cili për herë të dytë brenda pesë viteve, e ka sjell ekipin në këtë gjendje që nuk e meriton qyteti i Vushtrrisë. Ai nuk i ka kryer obligimet ndaj nesh ndërkohë që janë bërë pesë muaj pa paga. Më e keqja e gjithë kësaj është se i ka marrë parat e ‘Supersportit’ dhe ka ikur. Duke e parë këtë gjendje i jemi drejtuar Komunës, e cila na ka dhënë fjalë por deri më sot nuk ka asgjë. Tash e dy muaj kemi mbetur vetëm në lojtarët, pa kryesi pa asgjë”, thonë të revoltuar futbollistët vushtrrias.

Ankesat e tyre nuk mbarojë me kaq. “Jemi dëmtuar nga gjyqtarët dhe sot (për ndeshjen e fundit me Hajvalinë) u pa një gjë e tillë. Ne nuk jemi sikurse klubet tjera që manipulojmë ku një gjë e tillë u pa në këtë xhiro në disa takime. Nuk do të bëjmë kalkulime sikurse ekipet e tjera. Edhe nëse biem nga Superliga, nuk do iu del matematika ekipeve të tjera. Duam që në fund ta falënderojmë Hajvalinë për karakterin e treguar në fushë sidomos disa lojtarë që kanë luajtur në Vushtrri, ku gjatë gjithë takimit na kanë ofenduar E fundit për këtë ndeshje lidhet me Liridon Lecin. Me rrah zyrtarin e FFK-së dhe të dënohet vetëm dy ndeshje dhe 24 orë para ndeshjes me ne, t’i largohet dënimi, kjo ndodh vetëm në Kosovë”, përfundojnë futbollistët vushtrrias, raporton Gazetaolle.com. /Olle