Futbollistet e ’13 Qershorit’, enden me autobus pa pare nëpër qytet

Jo vetëm pensionistët në Kosovë e kanë mundësinë të udhëtojnë pa para nëpër qytet. Ky privilegj vlen edhe për futbollistet e 13 Qershorit, të cilat janë mjaft të privilegjuara në Therandë. Kryesia e klubit ua ka bërë një lehtësim të madh atyre, duke ua hequr shpenzimet e rrugës për në stërvitje. Kështu, futbollistet udhëtojnë pa para me autobus, nga fshati ku banojnë, deri tek stadiumi, kur kanë stërvitje apo ndonjë ndeshje kampionale.

Ato e vlerësojnë lart këtë veprim të kryesisë, të parin e këtij lloji në futbollin kosovar. Kapitenia e klubit, Majlinda Kadolli, thotë se kryesia e klubit vazhdimisht mundohet që t’ua përmirësojë kushtet lojtareve.

“Meqenëse vajzat e klubit duhet të udhëtojnë çdo ditë për të shkuar në shkollë dhe në stërvitje, sigurisht se ka harxhime të mëdha dhe, për të na lehtësuar punën, kryesia e klubit ka arritur që të na e heqë shpenzimet e rrugës. E falënderoj kryesinë për këtë veprim, që për ne është shumë lehtësues. Kryesia e klubit, jo vetëm kësaj radhe, por vazhdimisht po punon që kushtet tona të jenë çdoherë më të mira dhe më të favorshme”, theksoi për “Zërin” futbollistja therandase, e cila shton se edhe ekipet tjera duhet ta ndjekin shembullin e kryesisë së 13 Qershorit, se si duhet funksionuar një ekip.

Edhe futbollistja tjetër, Qëndresa Gashi, konsideron se kryesia ka bërë gjest fantastik, me heqjen e shpenzimeve të rrugës për futbollistet e këtij klubi.

“Duke na siguruar transportin falas për stërvitje, e që rrjedhimisht i bie edhe për shkollim, kryesia e klubit mendoj se e ka bërë një punë shumë të mirë dhe na ka lehtësuar punën shumë neve si lojtare. Me të vërtetë është nder dhe privilegj të jesh pjesë e një skuadre, ku dita-ditës kushtet po përmirësohen”, thotë mesfushorja therandase.

Morina: Do të vazhdojmë t’i përmirësojmë kushtet në klub

Nuredin Morina, nënkryetar i klubit, thotë se heqja e shpenzimeve të udhëtimit bën pjesë në vazhdën e punës së kryesisë së klubit, për t’i përmirësuar kushtet për lojtaret.

“Kemi arritur marrëveshje me të gjitha kompanitë e autobusëve të Therandës, që këta të fundit, t’i transportojnë lojtaret tona pa pagesë çdo ditë për seancë stërvitore. Ato u treguan të gatshme për ta ndihmuar klubin tonë, ashtu siç këto kompani kanë ndihmuar edhe klube tjera sportive në Therandë, për çka duhet falënderuar ato”, deklaroi Morina.

“Disa kompani janë në gjendje të vështirë, mirëpo pavarësisht kësaj, ata e kanë shprehur vullnetin dhe kanë pranuar ta ndihmojnë ekipin tonë, pasi dihet që ekipi i futbollit të femrave është diçka e re për therandasit. Prandaj kryesia e klubit falënderon të gjitha kompanitë që kanë pranuar ta ndihmojnë ekipin e 13 Qershorit, dhe gjithashtu klubi do të punojë edhe në vazhdim në përmirësimin e kushteve për lojtaret tona”, përfundoi ai.

Duhet cekur se kryetar i klubit 13 Qershori është Lutfi Perzhaku, i cili jeton dhe vepron në Gjermani. Ndërkaq, drejtor sportiv, pavarësisht moshës së re, 24-vjeçar, është Granit Koci.