Fushat në gjendje të mirë, mirëmbajtësit s’marrin rroga

Komisioni për Inspektimin e Objekteve Sportive (KIOS) në Federatën e Futbollit të Kosovës, prej dy ditësh ka inspektuar fushat e Raiffeisen Superligës, para fillimit të stinorit pranveror.

Ata thonë se fushat janë ato me të cilat u mbyll vjeshta, pabërë ndonjë riparim në to.

“Kemi qenë sot në Gjakovë, Pejë dhe Istog, kurse dje në Vushtrri, Drenicë dhe në Mitrovicë. Nesër shkojmë në Prishtinë dhe Ferizaj. Gjendja e fushave është deri diku e mirë, mirëpo nuk është punuar asgjë nga mbyllja e vjeshtës”, thotë Agim Maloku për Gazetën Olle.

Anëtari i KIOS thekson se premtimet janë që deri të dielën të pastrohen aty ku ka pasur nevojë. Ai veçon Istogun, të cilët thotë se kanë bërë përparime në fushë.

Maloku thekson se mirëmbajtësit e fushave ndodhen në një gjendje jo të mirë, për shkak të mos marrjes së pagave për shumë muaj. “Ekonomët ankohen se nuk kanë marrë paga prej 3-4 muajsh, prandaj edhe arsyetohen se nuk janë në gjendje të i mirëmbajnë fushat”.

Sipas Malokut, fushat nuk kanë pësuar dëmtime, pasi nuk ka pasur edhe të reshura të mëdha. Ai u shpreh se gjendje më e mirë mbretëron në zhveshtore. (Gazeta Olle)