Fushat e futbollit të vogël, të rrezikshme për futbollistë

Nëse keni luajtur futboll në fusha të vogla e të mbuluara, keni mundur ta vëreni se vrapimi i lojtarëve dhe qarkullimi i topit nëpër fushë çon një pluhur goxha të madh. Specialistët e Mjekësisë Sportive thonë se ai pluhur ka përmbajtje të rrezikshme. Andaj, Federata e Futbollit propozon inspektim të detajuar të këtyre fushave, të cilat sot shfrytëzohen për stërvitje nga ekipet kosovare, por edhe nga fëmijët e shkollave të futbollit.

 

Nëse jo rregullisht, sigurisht se ndonjëherë keni luajtur futboll në fusha të vogla e të mbuluara. Dhe, keni mundur ta vëreni se vrapimi i lojtarëve dhe qarkullimi i topit nëpër fushë çon një pluhur goxha të madh, që ka prejardhje nga një shtresë e gomës së zezë, e cila hidhet mbi barin e gjelbër, siç thuhet, për të mos u lënduar lojtarët, shkruan sot Zëri.

 

Ai pluhur është shumë i dëmshëm për shëndetin e lojtarëve, pasi ka përmbajtje të rrezikshme. Kështu thonë specialistët e mjekësisë sportive, të cilët janë të sigurt se pronarët e atyre fushave nuk i mirëmbajnë ato fusha, andaj ai pluhur i zi edhe thithet nga lojtarët.

 

Në fakt, fusha të tilla viteve të fundit janë ndërtuar gjithandej nëpër Kosovë dhe sot thuajse nuk ka fshat apo lagje që nuk e ka një të ngjashme dika aty afër.

 

Përveç qytetarëve të rëndomtë, këto stadiume të vogla frekuentohen me të madhe edhe nga futbollistët kosovarë, nga të gjitha grupmoshave. Infrastruktura e dobët në vend ka bërë që edhe disa klube kosovare të bëhen pronare apo menaxhuese të fushave të tilla, të cilat kryesisht i shfrytëzojnë për stërvitje, në mungesë të një infrastrukture më adekuate. Por, edhe i lëshojnë me qira, për ta fituar ndonjë euro, pasi nuk përfitojnë para tjetërkah.

 

Në anën tjetër, shumë shkolla të futbollit aktivitetet e tyre i kryejnë në këso fusha, të cilat, sipas specialisteve të mjekësisë sportive, mund të jenë edhe më të ndjeshme tek fëmijët.

 

“Edhe pse fushat e mbuluara sot janë bërë domosdoshmëri dhe rutinë e stërvitjeve, nëse nuk ka ajrosje të mjaftueshme mund të jenë shumë të rrezikshme, për shkak të ngritjes së pluhurit me përmbajtje të rrezikshme”, ka deklaruar Agron Rexhepi, ekspert i Mjekësisë Sportive dhe nutricisti sportiv.

 

Ndërkohë, edhe pronarë të fushave të tilla konfirmojnë se disa nga to përmbajnë rrezikshmëri për shëndetin e njeriut. “Janë dy lloje, njëra me asi gome të zezë dhe tjetra vetëm me bari. Ato me goma të zezë janë të dëmshme. Këto me bari nuk janë, prandaj janë edhe më të shtrenjta, kurse ato me gomë, sa e di unë, kryesisht kanë prejardhje nga Kina, kurse e imja është nga Gjermania”, thotë Shfaqet Luta, pronari i një fushe, për të cilën thotë se nuk lëshon pluhur.

 

Si duhet të zvogëlohet rreziku?

 

Sikurse eksperti i Mjekësisë Sportive, Agron Rexhepi, edhe specialisti i Qendrës Kombëtare të Mjekësisë Sportive, Rrustem Gashi, thotë se fushat e mbuluara, të cilat sot frekuentohen shpesh nga futbollistët dhe të rinjtë në përgjithësi, sjellin rrezik për shëndetin e njeriut. Edhe Gashi rrezikun më të madh e sheh te ai pluhuri i zi.

 

Por, Gashi i kritikon menaxhuesit e atyre fushave, të cilat kryesisht janë të regjistruara si biznese private, për të cilët thotë se nuk po dinë ose nuk po duan t’i mirëmbajnë ato.  “Ato fusha para lojës duhet të lagen, të ujiten, por edhe të ajrosen”, thotë ai. “Sa i përket mostrës së barit dhe asaj shtresës, pronarët thonë se nuk janë të parët që e përdorin, por e kanë sjellë nga  jashtë dhe e aplikojnë në Kosovë”, theksoi Gashi.

 

Fushat e hapura, më pak të rrezikshme

 

Në dallim prej fushave të mbuluara, ato të hapura shihen me një sy tjetër nga specialistët e Mjekësisë Sportive.

 

“Këto fusha të mbyllura nuk janë të preferueshme për të luajtur. Por, ato të hapura nuk paraqesin problem”, thotë specialisti Rrustem Gashi. Njëjtë thotë edhe eksperti i Mjekësisë Sportive, Agron Rexhepi. “Shumë më e shëndetshme do të ishte stërvitja që bëhet nën qiellin e hapur”, theksoi ai.

 

FFK: Fushat duhet të inspektohen nga ekspertët

 

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) është e vetëdijshme se fushat e vogla e të mbuluara shfrytëzohen goxha shumë nga futbollistët kosovarë të të gjitha grupmoshave, madje edhe për seanca stërvitore.

 

Sekretari i saj, Eroll Salihu, i cili ka njohuri të mëdha rreth infrastrukturës së futbollit, thotë se është koha që këto fusha të inspektohen nga institucionet kompetente shtetërore.

 

“Mendoj se ka ardhur koha që këto fusha të inspektohen nga dikush prej institucioneve që merren me këto fusha, regjistrimin e këtyre fushave. Ndoshta do të ishte mirë të thirret ndonjë ekspert për t’i inspektuar ato fusha në detaje, sepse në pyetje është shëndeti i të rinjve”, thotë Salihu për “Zërin”. “Nëse veç nuk janë të rrezikshme, ato fusha duhet të mirëmbahen, të ujiten, të ajrosen. Por, mendoj se duhet t’u bëhen edhe analiza të përbërjes së tyre”, theksoi ai.

 

Ministritë ia hedhin topin njëra-tjetrës

 

Gazeta ka pyetur në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë se sa fusha të tilla janë të regjistruara si biznese. Po ashtu, ky dikaster qeveritar është pyetur nëse do t’u bëhet ndonjë inspektim fushave të tilla. Por, përgjigja e kësaj Ministrie ishte e shkurtër, duke na sugjeruar të kontaktojmë me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. “Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nuk merret me inspektimin dhe licencimin e këtyre fushave, duhet të jetë kompetencë e MKRSK-së”, thuhej në përgjigjen elektronike të kësaj ministrie.

 

Por, në Ministrinë e Sportit thonë se kjo nuk është kompetencë e tyre. “Është krejtësisht e kundërta, sepse ato fusha janë prona dhe biznese private, me të cilat ne nuk merremi as me regjistrim as me licencim”, tha  këshilltari i ministrit Kujtim Shala, Muharrem Sahiti.

 

Por, ish-futbollisti i famshëm thekson se Ministria e Sportit është e gatshme të ndihmojë, nëse ka kërkesa për inspektimin e këtyre fushave. “Fusha të tilla ka nga niveli i parëm, i dytë, i tretë, i katërt dhe i pestë. Nëse janë të nivelit të tretë, katërt apo pestë, duhet të jenë të mira. Mirëpo, nëse ka kërkesa për inspektimin e tyre, qoftë nga Federata e Futbollit apo nga futbollistët, ne jemi të gatshëm të ndihmojmë, sepse në pyetje është shëndeti i të rinjve. Fushat e tilla sot shfrytëzohen edhe nga shkollat e futbollit”, potencoi Sahiti.