FSK dhe ‘Scardus’ organizojnë garë në ski

Asociacioni për sporte ekstreme “Scardus“, në bashkëpunim me Federatën Skitare të Kosovës, organizon garën e 5-të me radhë në Sllallom Paralel.

Gara do të mbahet me datën 21 dhe 22 shkurt 2015 në Qendrën Skitare, Brezovicë.

Përveç garës tradicionale për senior, sivjet për herë të parë do të mbahet edhe gara për junior, dedikuar për vajzat dhe djem, skiatorë të rinj, me qëllim kryesorë të krijimit të kushteve që gjeneratat e reja të përfitojnë nga eksperienca e garës.

Gara do të mbahet në shtegun e quajtur “Livadhi Grek” me start tek teleferikut ‘Guri i Kuq’. Shtegu do të jetë i gjatë 200 metra ndërsa lëshimi bëhet në një lartësi mbidetare prej 1950 metra dhe mbaron në lartësinë prej 1790 metra. Gjatë këtij shtegu ku njëkohësisht garojnë dy garues do të jenë të vendosura afro 20 porta.

Shpërblimet për tre fituesit e parë në garën e juniorëve do të jenë: pajisje për skijim, kurse ato për senior janë vlera monetare në shumat si në vijim: 400 euro për vendin e parë, 200 euro për vendin e dytë dhe 100 euro për vendin e tretë.

Gara është e hapur për pjesëmarrje për garues nga të gjitha klubet skitare, brenda dhe jashtë Kosovës.

Sponsor të kësaj gare janë: Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, Ministria e Punëve të Jashtme, dhe Ambasada Norvegjeze në Kosovë.