FSHF nuk e di se ku luajnë futbollistët e Kombëtares

Federata Shqiptare e Futbollit ka publikuar dje listën e lojtarëve të ekipit Shpresa për miqësoren që do luhet më datën 28 mars kundër Litenshtejnit. Ajo që bie në sy është jo vetëm fakti se nuk është vendosur as vendi se ku do luhet kjo ndeshje dhe as ora, por janë bërë gafa ose gabime edhe me ekipet e lojtarëve tanë.

Kështu, në FSHF ose nuk dinë se ku aktivizohen aktualisht disa nga lojtarët e grumbulluar në këtë listë, ose janë lënë qëllimisht ashtu, si për të treguar (gënjyer) se gjoja kemi të bëjmë me një skuadër me futbollistë që aktivizohen në klube të mira.

Kështu, portieri Aldo Teqja vijon të luajë tek Anorthosis në Qipro për FSHF-në, pavarësisht se ai ka kaluar që në fillim te sezonit tek Elpida Ksilofagu (kategoria e 3-të), në formë huazimi. Po kështu edhe Kristi Qose vijon të jetë te PAOKu, por faktikisht mbrojtësi aktivohet aktualisht tek Apollon 1926 (huazim). E njëjta gjë për Mërgim Vojvodën (për FSHF-në është te Standart Liegji), i cili luan në kategorinë e dytë në Belgjikë te St.Truiden, apo për Isnik Alimin, lojtar në pronësi të Kievos, por që aktualisht aktivizohet me Lumezanen tek inferiorët në Itali.