FSHF nis hetimet për ndeshjen që po dyshohet për kurdisje

Federata Shqiptare e Futbolli nëpërmjet Komisionit të Etikës ka filluar mbledhjen e fakteve dhe të të dhënave në lidhje me ndeshje e ditës së djeshme mes Bylisit dhe Tiranës, e vlefshme për gjysmëfinalen e Kupës, e cila u mbyll 2-1 për vendasit, por kishte dyshime të mëdha për mënyrën sesi rrodhën ngjarjet në ndeshje, shkruan “Panorama Sport”.

Gjysmëfinalja e parë e Kupës së Shqipërisë mes Bylisit dhe Tiranës ka risjellë në skenë ndeshjet e çuditshme dhe dyshimet e forta.

“Estrada e Ballshit” dha dje një shfaqje në një stadium të boshatisur, por që u ndoq drejtpërdrejt nga shumë sy nëpërmjet ekraneve të televizionit.

Nga dje dhe deri sot janë grumbulluar pamjet filmike dhe deklaratat e protagonisteve pas ndeshjes për fillimin e një hetimi ndaj këtij takimi të shumëpërfolur. Të gjitha do të studiohen me kujdes për të hedhur dritë mbi atë që ndodhi ditën e djeshme në Ballsh.