FSHF me sitem të ri për biletat

Ka dy ditë që ka filluar shitja e biletave për ndeshjen e 29 marsit midis Shqipërisë dhe Armenisë, që do të luhet në stadiumin e ri “Elbasan Arena” në kuadrin e eliminatoreve të Kampionatit Europian “Francë 2016”

Ndryshe nga ndeshja me Danimarkën, nuk ka patur shumë radhë në sportelet pranë stadiumit, teksa në mesditë biletat e vëna në dispozicion për sportdashësit elbasanas janë mbaruar. Disa tifozë kanë qëndruar ende në pritje, me shpresën se FSHF-ja do të sillte të tjera, por çdo ditë do të shiten një numër i caktuar. Siç dihet, Federata ka mundësuar për të gjithë ata që duan të blejnë një biletë të klikojnë te faqja e F.SH.F-së për ta blerë atje online, gjë që kjo i ka ndihmuar shumë tifozët, sidomos ata që do të vijnë nga jashtë.

Ndërkaq, përsa i përket stadiumit, “Elbasan Arena” është gati të presë këtë sfidë mjaft të rëndësishme të Kombëtares sonë, teksa është drejt përfundimit pista e re që do të kompletojë impiantin modern të Elbasanit.