FSHF-ja prapë kërkon talente në Kosovë

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) në muajin janar do të nisë seleksionimin e ri të futbollistëve që janë kandidatë për kategoritë e reja të Kombëtares së Shqipërisë.

Seleksionimi do të nisë më 5 janar, kur do të mbahen stërvitje në Selanik të Greqisë. Më 6 e 7 janar stërvitjet për lojtarët që dëshirojnë të luajnë për Shqipërinë do të mbahen në Athinë, ndërsa më 9 janar në Zuerich të Zvicrës, shkruan sot Koha Ditore.

Në Zuerich do të ketë lojtarë nga Zvicra e Gjermania dhe me gjasë shumica do të jenë me prejardhje nga Kosova. FSHF-ja ka njoftuar se më 11 janar përzgjedhja do të bëhet në Verona të Italisë.

Ndërkohë më 19 janar do të nisë seleksionimi në Shqipëri, në Qendrën Stërvitore të Ekipeve kombëtare. Në krye të grupit të punës në Shqipëri do të jetë përzgjedhësi i kombëtares A, Gianni de Biasi, ndërsa në grup bëjnë pjesë edhe ndihmësi i tij Paolo Tramezzani, përzgjedhësi i shpresave, Redi Jupi, ai i U-19 Arjan Bellai, Xhemal Mustedanagiç i U-17 dhe specialistë të tjerë.

Më 22 janar në Tiranë do të testohen lojtarët nga Kosova të lindur në vitet 1998 e 1999, ndërsa më 29 janar do të testohen po ashtu lojtarët nga Kosova, por të lindur në vitet 2000 e 2001. Në ditët tjera do të testohen lojtarë nga rajone të caktuara të Shqipërisë.

 

Më herët ka pasur përplasje në mes të drejtuesve të Kombëtares së Shqipërisë dhe drejtueseve të përfaqësueses së Kosovës, për mënyrën se si Shqipëria ka kërkuar talente në Kosovë.