Frikësohen nga shqiptarët

Ndeshja ndërkombëtare ndërmjet Drenica R & Rukolli e Pokka A.E. Karava, rrezikon të mos zhvillohet fare. Në fakt, klubi qipriot nuk ka pranuar të udhëtojë për në Kosovë, për shkak se shteti i tyre nuk e ka pranuar ende vendin tonë si shtet.

Kjo ndeshje, e vlefshme për rrethin e dytë të Challenge Cup, e paraparë të zhvillohet të martën (sot), nuk do të luhet pasi skuadra mysafire s’do të udhëtojë për në Kosovë.

“Ata nuk po pranojnë të vijnë për të luajtur në Kosovë, pasi shteti i tyre nuk e ka pranuar ende vendin tonë. E po ashtu, kanë thënë se as ne nuk mund të shkojmë për të luajtur në Qipro, në ndeshjen e kthimit. Gjithashtu, ata kanë lojtarë serbë dhe po frikësohen të vijnë”, deklaroi për “Zërin” trajneri i Drenicës, Arbon Osmani.

Sipas tij, drenicasit i kishin bërë të gjitha përgatitjet për ta pritur këtë ndeshje ndërkombëtare, siç kanë bërë në duelin e parë me ekipin irlandez. Mirëpo, duket se përgatitjet shkuan huq. Megjithatë, kuqezinjtë nuk e pranojnë në asnjë mënyrë kërkesën e qipriotëve.

“Ata kanë propozuar që të luajmë në një terren neutral, por ne nuk e kemi ndërmend ta pranojmë këtë propozim. I kemi shkruar edhe Federatës Evropiane të Volejbollit, nga i cili kemi kërkuar që të na mundësojë të luajmë vajtje-ardhje. Tash, po presim përgjigje nga CEV-i”, vazhdoi ai.

“Po shihet qartë se kemi të bëjmë me një çështje politike. Por, ne kërkojmë që politika të qëndrojë larg sportit. Kjo nuk është hera e parë që organizojmë ndeshje ndërkombëtare”, përfundoi Osmani.