Formati i ri i Superligës dhe Ligës së Parë, kampionët e Ligës së Parë kualifikohen në Superligë

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, nën drejtimin e presidentit Agim Ademi.

Ndër çështjet e shumta të diskutuara, ishte edhe formati i ri i garave për edicionin e ri të Superligës dhe Ligës së Parë.

Liga e Parë do të ketë dy grupe me nga 10 skuadra, ndërsa kampionët do të inkuadrohen në Superligë.

“KE shqyrtoi edhe njëherë formatin e garave për edicionin e ri 2020/2021 dhe mori vendim që Superliga të ketë 10 skuadra me sistem të katërfishtë, ku nga liga do të largohen dy skuadrat e fundit në tabelë dhe anëtarë të rinj bëhen dy skuadrat kampione të grupeve në Ligën e Parë. Në fakt, Liga e Parë do të ndahet në dy grupe me nga 10 skuadra, ndërsa nga liga largohen tri skuadrat e fundit në secilin grup”, thuhet në njoftimin e FFK-së, raporton Gazeta Olle.