Formacioni i mundshëm i Ballkanit për ndeshjen ndaj Sivassporit

Kampioni i Kosovës, Ballkani është gati për ndeshjen ndaj Sivassporit në kuadër të grupeve në Ligën e Konferencës.

Ballkani e pret Sivassporin në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 21:00 në ndeshjen e katërt të Grupit G.

Pas fitores në Turqi me rezultat 4-3, kjo ndeshje pritet të jetë e zjarrtë, pasi të katër skuadrat kanë nga katër pikë dhe do të kërkojnë maksimumin për të siguruar kalimin tutje.

Për këtë ndeshje, trajneri Ilir Daja ka bërë të gjitha përgatitjet dhe beson në ekipin e tij dhe ndihmën e tifozëve për një rezultat pozitiv.

Megjithatë, ekipi therandas do t’i ketë disa mungesa të theksuara përfshirë emra si kapiteni Edvin Kuc, Nazmi Gripshi dhe Astrit Thaqi.

Por, si do të luajë Daja në këtë përballje?

Telegrafi mëson se trajneri i Ballkanit nuk pritet të bëjë asnjë ndryshim nga ndeshja e fundit.

Kështu, Daja pritet t’i besojë emrave të njëjtë edhe për këtë përballje në Prishtinë dhe formacionit 3-5-2, i cili në disa raste transformohet 3-4-3.

Meriton Korenica është ai i cili herë do të mbulojë mesfushën qendrore me Qëndrim Zybën dhe Lindon Emërllahun, dhe herë do t’i bashkohet sulmit së bashku me Ermal Krasniqin dhe Albion Rrahmanin.

Këtë formacion e kemi para shumë shpesh te Ballkani në Evropë, por edhe në Superligën e Kosovës.

Ballkani: Frashëri; Dellova, Jashanica, Sinani; Ar.Thaqi, Zyba, Emerllahu, Potoku; Korenica; Krasniqi, Rrahmani;

 

Ballkani kërkon një tjetër sukses ndaj Sivassporit, kësaj radhe me ndihmën e 13 mijë tifozëve

Panadic prezantohet te Ferizaj: Mos pritni magji nga unë