Forca Kosova, djelmoshat tanë sonte mund ta shkruajnë sonte historinë

Pas fitores së Estonisë ndaj Maqedonisë në kuadër të Grupit C të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”, tani gjasat e Përfaqësueses së Kosovës për kualifikim tutje në këtë garë janë rritur dukshëm.

Përfaqësuesja jonë e ka shansin që nesër në përballje me Estoninë në Prishtinë të regjistroj fitore, me c ’rast edhe do të kualifikohej tutje.

Tani mbetet që të shtunën Kosova me lojën e saj dhe me përkrahjen e tifozëve të flaktë, ashtu si në ndeshjen e parë kundër Maqedonisë në Prishtinë të tregoj forcën e saj të vërtetë dhe kështu të kualifikohet tutje.

Ndërkohë Përfaqësuesja e Kosovës ka vazhduar me përgatitjet intensive për takimin e së shtunës dhe basketbollistët të udhëhequr nga kapiteni Dardan Berisha janë më të motivuar se kurrë që në fundjavë me përkrahjen e lojtarit të 6-të të arrijnë deri te fitorja, e cila do ta kualifikoj Kosovën për herë të parë në histori në një garë të tillë.

kosove

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Brad Greenberg ka thënë se lojtarët janë mjaft të motivuar që do ta luajnë këtë ndeshje vendimtare para tifozëve të tyre:

“Ekipi ynë është i emocionuar dhe i motivuar që është pjesë e një loje të tillë, si kjo e nesërmja, që është shumë e rëndësishme. Ne e mirëpresim këtë mundësi të jashtëzakonshme me besim të madh në aftësinë tonë për të luajtur me gjithë kapacitetin tonë para tifozëve tanë”.

“Ne duhet të luajmë guximshëm dhe të disiplinuar në të dy anët e fushës. Ne e respektojmë Estoninë, por në anën tjetër ne e kuptojmë mjaft mirë misionin tonë. Lojtarët tanë do të luajnë me zemër dhe me vendosmëri në këtë ndeshje vendimtare në shtëpi, për të vazhduar në fazën e ardhshme të kualifikimeve për Kupën e Botës “Kina 2019”, ka thënë përzgjedhësi për faqen zyrtare të FBK-së.

Në duelin e parë të luajtur në Tallin, Estonia e ka mundur Kosovën me shifrat 76:50.

Përfaqësuesja jonë fitoren e vetme në grup e ka regjistruar ndaj Maqedonisë, në ndeshjen e parë, të luajtur në Prishtinë, ndërsa më pas është mposhtur si mysafire në Tallinn dhe në Shkup.

Përballja me Estoninë të shtunën do të zhvillohet në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë me fillim nga ora 20:15, ndërsa do të transmetohet drejtpërdrejtë në Radiotelevizionin e Kosovës.

Duhet theksuar se Estonia pas triumfit ndaj Maqedonisë është kualifikuar tutje, derisa tani Kosovës i mbetet të shënoj fitore ndaj estonëve të shtunën, në të kundërtën janë maqedonasit ata që do të vazhdojnë tutje në këtë garë.