Flet trajneri amerikan i Kosovës U16

Po afrohet dita e debutimit të Kosovës në Kampione Evropiane. Përfaqësuesja e Kosovës U-16 do të jetë ajo që do ta ketë fatin ta zhvillojë premierën në Evropiane.

Kosova U-16 ndeshjen e parë do ta luaj me Gjibraltarin në ditën e parë të Kampionatit Evropian që do të zhvillohet prej 6 deri më 11 Korrik në San Marino.

Kosova do të garojë në Kampionatin Evropian, Divizioni C, Grupi B, ku përveç Gjibraltarit bëjnë pjesë edhe Monako dhe Uellsi.

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës U16, Chris Dial tha se janë gati për kampionatin evropian.

“Kampi në San Antonio na ka hyrë shumë në punë, sepse djemtë e kane fituar një përvojë shumë të madhe. Në fakt ata kanë qenë të befasuar me nivelin e basketbollit në SHBA dhe kjo është normale. Por unë jam i sigurt se në San Marino ata nuk do të befasohen, sepse tashmë kanë pasur rastin të shohin basketboll të një niveli krejt tjetër prej atij që luhet në Kosovë.Djemtë kanë punuar individualisht me trajnerë të klasit të lartë, kanë luajtur ndeshje miqësore me kolegje shumë të forta dhe për mua ka qenë shumë e rëndësishme që ata të mësohen të përballen me kundërshtarë të fortë, sepse të tillë do të jenë edhe në Kampionatin Evropian. Unë jam më se i bindur se përvoja e fituar në SHBA do t’ju shërbejë këtyre basketbollistëve të rinj për gjithë jetën”.