Flet njeriu i momentit tek Gjilani, Robert Rrahmani: Projekti i klubit më bindi, synojmë daljen në Evropë

Gjilani nuk e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin e ri të garave në elitën e futbollit kosovar, por një ndër gjërat pozitive pas pesë xhirove të zhvilluara është padyshim forma e lartë e mesfushorit me tipare sulmuese Robert Rrahmani.

Në një intervistë për Telegrafin, Rrahmani ka folur për një gamë të gjerë temash, duke filluar që nga forma e tij individuale këtë sezon me Gjilanin e deri tek objektivat që ka me klubin, komponimin e skuadrës pas transferimeve të reja dhe arsyen pse zgjodhi të bëhej pjesë e ‘Skifterave’ duke marrë parasysh numrin e madh të ofertave.

Sa i përket numrave që ka arritur në këtë fillim të sezonit, Rrahmani preferon të qëndrojë modest duke thënë se ka ende hapësirë për përmirësime.

“Për formën time duke marrë parasysh edhe parasezonin jam munduar që të jap maksimumin tim dhe jam i kënaqur, por ka vend për përmirësime si në aspektin teknik ashtu edhe në atë teknik, ku së bashku me stafin e trajnerëve po punoj për përmirësimin e tyre”, ka thënë fillimisht Rrahmani.

Tutje, ai ka folur për objektivat individuale dhe kolektive duke thënë se qëllimi kryesor është dalja në Evropë.

“Objektivat personale janë që të rris formën ende pasi që besoj se ka ende hapësirë, po ashtu t’i rris statistikat dhe si rrjedhojë të ndihmojë skuadrën drejt arritjes së objektivave e që sivjet për synim e kemi daljen në Evropë”.

Gjilanasit ishin një ndër ekipet më aktive gjatë afatit kalimtar veror duke kompletuar disa transferime të mëdha si Ergys Kaçe, Armend Thaçi si dhe blerja e kartonit të sulmuesit Senad Jarovic.

“Transferimet e bëra deri më tani besoj se janë të qëlluara dhe me kohë do të arrijmë edhe tek komponimi dhe që pastaj nuk dyshoj se do të vijnë rezultatet e kërkuara”, deklaroi Rrahmani.

Për fund, ai tha se projekti i klubit të Gjilanit ka qenë arsyeja kryesore pse ai ke vendosur të hedh firmën për ‘Skifterat’ në mesin e shumë ofertave që kishte në tavolinë.

“Projekti i klubit të Gjilanit së bashku me stafin teknik kanë qenë kyç që unë të bindem të nënshkruaj me Gjilanin pasi bazuar në këto rrethana unë kam besuar që do ta gjejë veten më së miri këtu dhe do ta kem mundësinë që të arrijë potencialin maksimal”, përfundoi 23-vjeçari.

Kujtojmë se Rrahmani deri më tani këtë sezon ka tundur rrjetën në dy raste fillimisht ndaj Ballkanit pastaj ndaj Suharekës ndërsa ka edhe dy asistime.

Juventusi me start perfekt në Ligën e Kampionëve, mposht thellë PSV-në

Liridon Balaj largohet nga futbolli zviceran dhe nënshkruan me klubin shqiptar