Flet blerja bombastike e Gjilanit: Pritja ka qenë shumë e mirë, jam këtu për objektiva madhore

Blerim Krasniqi është futbollisti më i ri që është bashkuar me Gjilanin.

Sulmuesi shqiptar është bashkuar me ‘Skifterat’ pas një eksperience me kampionët në fuqi të Shqipërisë, Teutën e Durrësit.

E në një prononcim dhënë faqes zyrtare të klubit, Krasniqi ka zbuluar fillimisht edhe arsyen pse zgjodhi Gjilanin para ofertave tjera.

“Projekti dhe ambiciet e klubit më kanë bindur që t’i bashkohem klubit të Gjilanit. Është një klub shumë serioz dhe i organizuar. Një mundësi e mirë për lojtarët që të ndjejnë veten shumë komod, me kushte të mira për punë dhe shumë gjëra tjera që i nevojiten një futbollisti”, tha Krasniqi për faqen zyrtare të klubit.

“Skuadra dhe drejtuesit e klubit më kanë pritur shumë mirë dhe shpresoj që kështu të shkoj edhe ambientimi im”, vazhdoi tutje Krasniqi.

Tutje ish-anëtari i Skënderbeut dhe Teutës së Durrësit ka thënë se ka ardhur te Gjilani për t’i përmbushur objektivat e klubit e që ato janë madhore.

“Futbolli në Kosovë është sfidë e re për mua. Jemi këtu për t’i përmbushur objektivat e klubit dhe së bashku me ekipin dhe shpresojmë që në fund t’i gëzojmë edhe tifozët”.

“Nuk jam futbollist që i pëlqen fjalët, por tifozëve i’u premtoj vetëm punë dhe angazhim. Presim përkrahje të madhe nga ta këtë sezon, pasi që edhe objektivat janë madhore”, tha Krasniqi.

/Gazeta Olle/

Zyrtare: Romero i bashkohet Tottenhamit për 50 milionë euro

Pritje fantastike për Alioskin në Arabi